Në javët e fundit është folur shumë se te skuadra e LASK-ut nuk ka atmosferë pozitive.
Është raportuar se grupi i lojtarëve nuk është i bashkuar.
Por, Valon Berisha, mesfushori i Kosovës, ka mohuar të ketë grupime.
Berisha në emisionin “The Audio Proof”, ka thënë se lojtarët e rinj i dëgjojnë me kujdes ata që janë me përvojë.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga e kaluara. Lojtarët e rinj ndihen më rehat për ta shprehur atë që e kanë për ta thënë”, ka thënë fillimisht 31-vjeçari.
Berisha ka përvojë të madhe si futbollist dhe ka thënë se gjithmonë mundohet t’i ndihmojë të rinjtë.
“Nuk ka rëndësi se ku kam qenë. Gjithmonë kam dashur që skuadra të arrijë diçka, sepse me sukses edhe ne dukemi mirë”, ka thënë ai.
Por, Berisha ka kritikuar të rinjtë që e duan suksesin e shpejtë, dhe kjo mund të ndikojë negativisht në karrierën e tyre.
“U flas shumë lojtarëve të rinj. Kur dikush më thotë diçka në stërvitje, ua kthej menjëherë. Sepse kur e kritikoj dikë, e bëj që ata të luajnë më mirë sepse mendoj se kanë potencial”.
Në xhiron e fundit, LASK-u humbi 3:1 në shtëpi nga Austria Vienna.
Berisha ishte asistues në golin e vetëm të skuadrës së tij.
“Duhet të jemi më shumë të bashkuar dhe ne, lojtarët me përvojë, duhet të bëjmë diçka që të rinjtë të ndihen më rehat”, ka deklaruar ai.
Berisha në 22 paraqitjet e sezonit aktual ka realizuar pesë gola, ndërsa i ka edhe gjashtë asistime.