Pasi paralajmëroi ndeshjen që Dukagjini do ta zhvillojë të dielën ndaj Llapit në “13 Qershori” në Klinë, zyrtarja e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Alba Morina, nisi të nxjerrë nga golat emrat e gjyqtarëve. Nisi fillimisht me vazon e parë me emrat e gjyqtarëve kryesorë. Nga gogla tërhoqi emrin e Burim Jahmuratajt. Jahmurataj me short u caktua të jetë gjyqtar kryesor i ndeshjes Dukagjini – Llapi. Por për shkak të lëndimit, Jahmurataj u zhvendos me automatizëm në dhomën e VAR-it. Shorti për ndeshjen e javës së 29-të të Superligës në futboll Dukagjini – Llapi u përsërit. Dhe gjyqtar i katërt u caktua Visar Kastrati.
Zyrtarja Morina vazhdoi me tërheqjen e emrit të asistentit të parë dhe të dytë. Asistent i parë me short u caktua Granit Hyseni, kurse i dyti Bashkim Hyseni. Pasi përfundoi procedura e tërheqjes së emrave të dy asistentëve të arbitrit Kastrati, radhën e kishte tërheqja e emrit të gjyqtarit të katërt. Kishin mbetur edhe dy gogla pa u hapur për gjyqtar të katërt. Dhe pasi i përzjeu disa herë, Morina me dorën e majtë kapi goglën dhe para kamerës zbuloi emrin e gjyqtarit Mervan Bejtullahu.
Por Bejtullahu më vonë nga Federata e Futbollit e Kosovës u zëvendësua me Vigan Ibërdemajn.
Bejtullahu ka qenë gjyqtar për ndeshje të Dukagjinit katër ndeshjet e fundit. Në xhiron e 28-të Bejtullahu ishte gjyqtar i parë i ndeshjes Malisheva – Dukagjini. Gjyqtar kryesor ishte edhe në ndeshjen e javës së 26-të, Dukagjini – Feronikeli 74 e po ashtu edhe në ndeshjen çerekfinale të Kupës në mes të Dukagjinit dhe Dritës. Si gjyqtar i katërt ka qenë në ndeshjet e javës së 25-të dhe 27-të, Prishtina – Dukagjini, përkatësisht Gjilani – Dukagjini.
Kryetari i Komisionit për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrolluesve për Superligë dhe Ligën e Parë, Gani Havolli pranon se Bejtullahu nuk do të jetë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në ndeshjen Dukagjini – Llapi.
“Nuk ka fshehtësi”, ka thënë Havolli për KOHËN.
I pyetur se a është tërhequr Bejtullahu me dëshirë, Havolli dha sërish përgjigje të shkurtër.
“Ashtu siç është, është”.
KOHA ka provuar të vërë kontakt me gjyqtarin Bejtullahu. Por gjatë gjithë ditës telefoni i Bejtullahut ka qenë i fikur.
FK-ja sivjet vendosi që delegimi i gjyqtarëve në ndeshje të bëhet me short. Është vërtet befasi dhe kuriozitet që fati i shortit po e delegon gjyqtarin Mervan Bejtullahu vazhdimisht në ndeshjet e Dukagjinit.
Edhe edicionin e kaluar, Bejtullahu kishte ndarë 11 herë drejtësi si gjyqtar kryesor në ndeshjet e Dukagjinit.
Caktimi i gjyqtarëve viteve të kaluara është bërë nga Komisioni për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrolluesve për Superligë dhe Ligën e Parë.
Sivjet delegimi po bëhet me short. Janë katër vazo të mbushura me gogla. Njëra vazo është me emrat e gjyqtarëve kryesorë, dy të tjera me asistentin e parë dhe të dytë dhe një me arbitrin e katërt.
KOHA pati shkruar më herët se kjo mënyrë e caktimit të gjyqtarëve për ndeshje ka “përjashtuar” shpesh arbritrat me stemë të FIFA-s.
Në rregulloren e UEFA-s për gjyqtarë shkruan se ndalohet delegimi i gjyqtarëve me short.
“Është e ndaluar të përdoren procedurat si votim i fshehtë, short apo lotari për të përcaktuar zyrtarët e ndeshjes apo vëzhguesit”, shkruan në rregulloren e UEFA-s.
Në të kaluarën ka pasur reagime nga më të ndryshmet për ndarje të drejtësisë nga gjyqtarët. Po ashtu ka pasur akuza se gjyqtarët me qëllim delegohen për interes të ndonjë klubi. Për t’i shmangur akuzat, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që delegimin e gjyqtarëve ta bëjë me short. Por as kjo mënyrë e delegimit nuk po duket e përshtatshme, sidomos për gjyqtarët elitarë. Ata kanë shumë ankesa, por për media nuk flasin.