Futboll

Bayernin e pret punë e vështirë në Frankfurt

bayern

Pas fillimit të furishëm me trajnerin Vincent Kompany, Bayerni, ka dështuar të fitojë në dy ndeshjet e fundit. Fillimisht luajti 1:1 në derbin e Bundesligës me Bayer Leverkusenin e në mesjavë humbi 1:0 nga Aston Villa në Champions.

Tjetër sfidë serioze Bayernin e pret të dielën nga ora 17:30. Bavarezët e luajnë derbin  e xhiros së gjashtë të Bundesligës ndaj Eintracht Frankfurtit.

Ndeshja zhvillohet në Frankfurt dhe skuadra vendase do të mundohet ta shfrytëzojë momentin jo të mirë të Bayernit.

Pas xhiros së pestë, Bayerni është lider  me 13 pikë. Frankfurti është i dyti me 12 pikë.

Frankfurti të enjten fitoi 3:1 ndaj Beshiktashit në Ligën e Evropës. Fundjavën e kaluar fitoi 4:2 ndaj Holstein Kiel në Bundesligë.

Pikërisht Kielin e pret kampioni në fuqi, Bayer Leverkuseni, të shtunën nga ora 15:30. Skuadra ku lider është Granit Xhaka synon fitore për të rritur edhe më shumë presionin ndaj Bayernit. Borussia Dortmundi luan ndaj Unionit në Berlin, po ashtu të shtunën nga ora 15:30.

Ndeshje e fortë pritet të jetë edhe ajo në mes të Heidenheimit dhe Leipzigut, që zhvillohet të dielën nga ora 15:30.

Pas xhiros së pestë, Leipzigu është i treti me 11 pikë, ndërsa Heidenheimi i gjashti me nëntë pikë.