Futboll

Bayerni pret Mainzin, mund të shpallet kampion

Bayern

Bayern Muncheni i është afruar shumë titullit të kampionit në Bundesligë.

Bayerni pas 30 ndeshjeve është lider me 72 pikë. Ka tetë pikë më shumë se Bayer Leverkuseni që është në pozitën e dytë. Deri në fund janë edhe katër xhiro.

Bayerni mund ta sigurojë titullin që në fundjavë, kur në program është xhiroja e 31-të. Në rast të fitores së Bayernit dhe humbjes së Leverkusenit, bavarezët do të festonin të shtunën.

Bayerni është fare pranë që ta fitojë titullin e 34-t të Gjermanisë.

Është klubi më i suksesshëm në futbollin gjerman.

Bayerni të shtunën nga ora 15:30 e pret Mainzin.

Skuadra bavareze është e pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në ligë.

Mainzi ka 47 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë. Nëse e ruan këtë pozitë deri në fund, atëherë edicionin e ardhshëm do të paraqitet në kupat evropiane.

Të shtunën nga ora 15:30 do të zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera.

Bayer Leverkuseni luan në shtëpi me Augsburgun. Skuadra e Granit Xhakës duhet të shënojë fitore për ta mbajtur të hapur garën për titull. Leverkuseni është kampion në fuqi, por këtë edicion po e humbë garën me Bayernin. Augsburgu renditet i dhjeti me 43 pikë.