Bayern Munichu e ka emëruar Vincent Kompanyn trajner të ri të skuadrës, me marrëveshje trevjeçare.
Belgu 38-vjeçar do ta zëvendësojë Thomas Tuchelin dhe do të largohet nga Burnley për te skuadra e Bundesligës pasi dy klubet janë pajtuar që të paguhet dëmshpërblimi që besohet të jetë rreth 12 milionë euro.
Kompany me Burnleyn në edicionin 2022/23 e fitoi Championshipin, kategorinë e dytë të futbollit anglez, por këtë edicion nuk arriti që ta siguronte qëndrimin në Premier League duke përfunduar në vendin e 19-të.
“Është nder të jesh në gjendje të punosh për këtë klub. Bayerni është institucion në futbollin ndërkombëtar”, ka thënë ish-mbrojtësi i Manchester Cityt.
Kompany, i cili u pensionua nga futbolli aktiv në vitin 2020, iu bashkua Burnleyt nga Anderlechti në vitin 2022 dhe nënshkroi kontratë tjetër pesëvjeçare vitin e kaluar.
Megjithatë, ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për të ardhmen e tij te Burnley pas humbjes në shtëpi nga Nottingham Foresti në ditën e fundit të edicionit.
Burnley besonte se do ta mbante Kompanyn në “Turf Moor”, por “ndryshimi i dinamikave të situatës” e bëri të pamundur një gjë të tillë.
“Ne e kuptojmë joshjen dhe klubin prestigjioz si Bayern Munichu, si dhe e respektojmë ambicien e Vincentit për të eksploruar mundësi të reja”, ka thënë klubi anglez.
Nuk ka pasur njoftim nëse stafi i trajnerëve, përfshirë asistentin Craig Bellamy, do t’i bashkohet belgut në Gjermani.
Tuchel u largua nga Bayerni këtë muaj pasi skuadra përfundoi në vendin e tretë në Bundesligë, që është pozita më e dobët në ligë që prej edicionit 2010/11.
Bayerni ka hasur në vështirësi për ta gjetur zëvendësuesin e Tuchelit, largimi i të cilit ishte bërë i ditur që prej muajit shkurt.
Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, si dhe trajneri aktual i Austrisë, Ralf Rangnick, refuzuan ofertat e klubit bavarez.
Ka pasur edhe raportime se Bayerni është munduar që ta bindë Tuchelin të qëndrojë, por një gjë e tillë nuk u bë e mundur.
“Vincent Kompany është lloj i trajnerit që përshtatet mirë te filozofia dhe identiteti i Bayernit”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund.
“Ai është i ri, trajner ambicioz, i cili sjell eksperiencë të madhe. I njeh lojtarët dhe e di se çfarë saktësisht duhet të ndodhë në fushë”.
Kompany ka krijuar reputacion gjatë qëndrimit tek Anderlechti dhe Burnley.
Ai është katër herë fitues i Premier Leagues me Manchester Cityn si lojtar.
Kompany u bë trajner i Anderlechtit në vitin 2020 pas periudhës si lojtar e trajner, para se të kalonte në “Turf Moor”.