Futboll

Bayerni e nderon Beckenbauerin me fanellë gjigante në stadium

Franz Beckenbauer

Si pjesë e shënimit të 125 vjetorit të themelimit të klubit, Bayern Muencheni ka vendosur ta nderojë legjendën Franz Beckenbauer në mënyrë të veçantë.

Në kujtim të “Kaiserit”, një fanellë gjigante me emrin e tij dhe me numrin legjendar 5, do të varet nën çatinë e stadiumit dhe do të jetë e dukshme për të gjithë vizitorët.

Fanella për herë të parë do të shfaqet në ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve, kundër Bayer Leverkusenit. Ndeshja i takon një të tetës së finales së Championsit.

Beckenbauer vdiq më 7 janar të vitit të kaluar në moshën 78-vjeçare. Nderimi i tij bëhet në mënyra të ndryshme në Gjermani, ku vlerësohet i pakrahasueshëm.

“Jemi të kënaqur që klubi e nderon Franz Beckenbauerin në këtë mënyrë të jashtëzakonshme në ‘Allianz Arena’, pasi anëtarët tanë vendosën në mbledhjen e përgjithshme vjetër që numri i tij ‘5’ të tërhiqej. Zemra sportive e Bayernit rreh në këtë stadium dhe lidhja e fortë me ‘Kaiserin’ tonë duhet të jetë gjithmonë e shfaqur gjatë ndeshjeve”, ka thënë presidenti i Bayernit, Herbert Hainer.

Fanella është 15.7 metra e lartë dhe 10.54 metra e gjerë. Do të vendoset mbi tribunën veriore në “Allianz Arena”, ndërsa vendimi se ku do të vendoset u mor pas konsultimit me tifozët.

Beckenbauer ishte te Bayerni prej vitit 1959 e deri në vitin 1977. Ka bërë histori me këtë skuadër e po ashtu me përfaqësuesen e Gjermanisë.