Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka reaguar ashpër pas barazimit me Dukagjinin në Klinë. Të dielën Dukagjini e Llapi luajtën 1:1 dhe kështu llapjanët mbetën pak prapa në garën për titull të kampionit.
Sipas Batatinës, drejtuesit e Dukagjinit kanë dirigjuar arbitrat. Pas ndeshjes nuk kishte deklarata për transmetuesin, si zakonisht. Kjo sipas Batatinës është bërë me qëllim.
“Nuk më ftoj askush për të dhënë deklaratë pas lojës. Ky është skenari i përgatitur nga Fabiani (drejtues i Dukagjinit v.j.). Unë prita, por gazetarët dhe kamerëmanët u larguan, pasi u thanë se nuk ka intervista, për t’u munduar të mbulojnë padrejtësinë. Është marre e madhe çfarë bëri sot një arbitër me stemë të UEFA-s dhe komplet u dirigjua nga banka e Dukagjinit. Çdo reagim i tyre ka qenë edhe i arbitrit. Ishte referim skandaloz nga minuta e parë. Skenar i përgatitur”, ka thënë Batatina.
Drejtues të tjerë të Llapit kanë lëshuar po ashtu akuza të rënda publike.