Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadra e tij ka luajtur nën presionin e pikëve, pasi është në kërkim të titullit të parë në histori të klubit.
Ai pas ndeshjes theksoi po ashtu se një dorë e hekurt do të jetë për futbollistët, të cilët nuk i kanë përmbushur kërkesat për duelin kundër Fushë Kosovës.
Llapi fitoi 1:0 me një gol të minutave shtesë të shënuar nga qendërmbrojtësi Ilir Krasniqi.
“Dua të them se kundërshtari luajti pa presion për shkak të pozitës që ka, ndërsa ne luajtëm nën presion. Disa lojtarë nuk shfaqën atë që kam kërkuar nga ta dhe do të ketë dorë të hekurt për ta në ndeshjet në vazhdimësi. Është dashur që në pjesën e parë të ishim më të kujdesshëm. Po të shënonim gol do të ishim më të qetë. Sa i përket Ilir Krasniqit, e kam cekur që Kosova nuk ka pasur mbrojtës më të mirë që prej Amir Rrahmanit. Ai e menaxhon komplet fazën defensive. Muhamet Hyseni prej dëshirës së madhe për të shënuar, e humbi penalltinë. Më bëri përshtypje ajo që kam kërkuar në vazhdimësi, ‘fair-play’. Dhe për këtë e respektoj Fushë Kosovën. Fushë Kosova tregoi se duhet luftuar pavarësisht pozits. Duhet përmendur edhe se arbitrimi ka qenë në nivel dhe kjo i duhet futbollit të Kosovës që të ecë para. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës”, ka deklaruar Batatina për “ArtMotion” pas ndeshjes.
Ndërkohë, trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, ka thënë se pavarësisht disfatës, askush nuk është dorëzuar pasi ende ka gjasa matematikore për mbetje në elitë.
“Ishte paraqitje e mirë dhe nuk jemi dorëzuar pasi matematikisht, kemi gjasa për të mbijetuar. Ishte ndeshje e luftuar shumë dhe i ka hije kampionatit kështu deri në fund. Një top në minutat shtesë nuk arrin të largohet dhe pësuam gol. U mbrojtëm mirë dhe nuk i lejuam hapësira e shanse Llapit. Më dhemb që pranuam gol në minutat shtesë. Nuk kam folur asnjëherë dhe nuk flas për gjyqtarë, por Fushë Kosova po nënçmohet, po marrim kartonë të lehtë. Duhet respektuar edhe klubi, edhe ne si individë”, ka deklaruar Shala.
Prishtina kthehet te fitorja
Prishtina të dielën në ndeshjen e xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll, fitoi në udhëtim te Malisheva me rezultatin 1:0.
Malisheva që ishte në ecuri prej tri fitoreve e dy barazimeve në pesë ndeshjet e fundit, u mposht në ballafaqimin që u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”.
Golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi Hasan Hyseni në minutën e 67-të, pas pasimit që mori nga Ardian Muja.
Malisheva nga minuta e 71-të luajti pa sulmuesin Rilind Haziraj, që u përjashtua pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Prishtina pas 30 ndeshjeve zë vendin e pestë me 43 pikë.
Malisheva mbetet në vendin e katërt me 52 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Malisheva luan në udhëtim te Feronikeli 74, kurse Prishtina e pret Llapin.
Prishtina në epërsi ndaj Malishevës
Prishtina ka kaluar në epërsi ndaj Malishevës në ndeshjen e xhiros së 30-të të Superligës.
Hasan Hyseni e ka shënuar golin e epërsisë 1:0 në minutën e 67-të. Ai mori top të mirë nga Ardian Muja, u shmang nga një kundërshtar dhe e dërgoi topin prapa shpinës së portierit kundërshtar.
Malisheva nga minuta e 71-të është duke luajtur pa sulmuesin Rilind Haziraj për shkak të kartonit të kuq.
Pjesa e parë: Pa gola në Malishevë dhe Podujevë
Pjesët e para të dy ndeshjeve që po luhen të dielën e që i takojnë xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll janë mbyllur baras.
Malisheva dhe Prishtina pavarësisht rasteve që i patën, nuk arritën të shënonin gola në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Edhe në duelin tjetër në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nuk pati gola.
Llapi po luan baras me Fushë Kosovën.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina, po e kërkon titullin e parë në histori të klubit. Fitorja do të mund ta afronte edhe më shumë në kreun e tabelës.