Alessandro Bastoni beson se gjysmëfinalistët e tjerë të Ligës së Kampionëve janë “individualisht më të fortë” se Interi Por mbrojtësi 26-vjeçar insiston se “nerazzurrët” mund ta mposhtin çdo kundërshtar “nëse mbrohen si ekip”.
Interi u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herën e dytë në tri edicionet e fundit, pasi mposhti Bayern Munichun me rezultat të përgjithshëm 4:3 në çerekfinale.
Mbrojtësi i Interit ka thënë në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, të premten, se emocionet janë të papërshkrueshme për këtë arritje.
“Individualisht ne nuk jemi të fortë sa janë gjysmëfinalistët e tjerë, por si ekip mund ta mposhtim çdo kënd. Nëse ndalemi duke punuar së bashku, ne rrezikojmë të fundosemi”, ka deklaruar Bastoni, që e ka një finale të humbur nga Manchester City në vitin 2023.
Interi në gjysmëfinale do të luajë kundër Barcelonës.
Në edicionin aktual mund ta përsëritë suksesin e vitit 2010 kur e fitoi “tripletën”.