Barcelona e mposhti në fundjavë rivalin e madh, Real Madrid, për ta fituar Kupën e Mbretit. Ai sukses është motivim shtesë për Barçën, për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit. Kështu të paktën ka thënë trajneri i Barcelonës, Hansi Flick.
Barcelona e Interi përballen të mërkurën prej orës 21:00 në “Estadi Olimpic Lluis Companys”.
Skuadra e Flickut kryeson në La Liga, ndërsa synon tre trofetë e mëdhenj. Njërin prej tyre tashmë e fitoi. Triumfoi 3:2 në ndeshjen dramatike të së shtunës. Tekniku gjerman është pyetur nëse duhet të “frenojë” euforinë e lojtarëve të tij.
“Jo, ajo që shoh është që të gjithë janë të fokusuar në ndeshje. Të gjithë e dinë se sa e rëndësishme është të jemi në gjendje të shkojmë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp.
Ai e vlerëson shumë të rëndësishëm faktin që skuadra është në moment të mirë.
“Fitorja ndaj Real Madridit është shumë e rëndësishme për atmosferën dhe mund të na shtyjë para. E dimë që na duhet të punojmë shumë për të kaluar në finale. Është ëndërr për të gjithë që të jemi në finale dhe për këtë na duhet të qëndrojmë të fokusuar. Interi ka ekip me disa lojtarë që janë në moshën që mund ta kenë mundësinë e fundit për kualifikim në finale dhe që do të japin 100 për qind nga vetja”, ka theksuar Flick.
Barcelona e luajti të shtunën finalen, derisa Interi kishte ndeshje në Serie A të dielën. Flick ka thënë se të dy skuadrat kishin fundjavë të ngarkuar, porse në gjysmëfinale të Championsit të gjithë do të japin maksimumin.
Për dallim nga Barcelona, Interi nuk është në momentin më të mirë. Javën e kaluar u eliminua nga Milani në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Po ashtu ka dy humbje rresht në Serie A dhe tashmë ka mbetur tri pikë prapa Napolit. Skuadra e Simone Inzaghit i ka tri humbje rresht. Të dielën humbi 1:0 nga Roma.
Në çerekfinale të Championsit, Interi e eliminoi Bayernin. Ndërkohë Barcelona e kaloi skuadrën tjetër gjermane, Borussia Dortmundin.
“Liga e Kampionëve është mundësi e madhe edhe për Interin për të fituar trofe. Interi është dy ndeshje larg finales, njëjtë si ne. Nuk kanë rëndësi ndeshjet e kaluara. Nuk mendoj për humbjet e Interit pasi nuk është punë e imja. Jam i fokusuar në ekipin tim”, ka theksuar Flick.
Në konferencë foli edhe Lamine Yamal. Ai ka theksuar se Interi në mbrojtje është shumë i fortë. Yamal ka thënë se “mbrojtja është arma kryesore e Interit dhe këtë e ka dëshmuar në çdo vit në Champions”.
“Por ne jemi të uritur të kualifikohemi në finale dhe të dëshmojmë se kush jemi”, ka thënë Yamal.
Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, ka thënë se për në Spanjë kanë udhëtuar me entuziazëm të madh. Interi brenda tre vjetësh është kualifikuar dy herë në gjysmëfinale.
“Po bëjmë punë të madhe në Champions dhe do të mundohemi që të bëjmë realitet ëndrrat e tifozëve tanë. Kemi dëshirë të madhe që të luajmë në finale sërish”, ka thënë Martinez.
Barcelona e ka fituar garën kryesore evropiane pesë herë, së fundi në vitin 2015. Në finale është mposhtur tri herë, së fundi në vitin 1994. Interi i ka tre trofe evropianë, të fundit në vitin 2010. Ka tri finale të humbura. Në finale së fundi ishte në vitin 2023, kur u mposht nga Manchester City.
“Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kështu që nuk do ta quaja këtë moment të vështirë. Jemi të gjithë të entuziazmuar. Do ta sfidojmë njërin prej ekipeve më të mira në botë dhe njërin prej ekipeve më ofensive. Do të vuajmë në momente dhe në aspektin teknik duhet të jemi të përkryer”, ka thënë Inzaghi.
Ai e vlerëson shumë lart Barcelonën dhe trajnerin e saj, Hansi Flick. Ka folur edhe për talentet e Barcelonës, sidomos për Yamalin.
Por përvoja mund të jetë e rëndësishme në gjysmëfinale të Championsit. Dhe prej saj synojnë të përfitojnë në ekipin italian.