Me gjermanin Hansi Flick në krye, Barcelona duket e pandalshme. Këtë e dëshmoi në dy ndeshjet e fundit. Fillimisht fitoi 4:1 ndaj Bayernit në Ligën e Kampionëve e më pas “shkatërroi” Real Madridin në “El Clasico”, duke e mposhtur 4:0.
Tani Barçën e sfidon rivali lokal, Espanyoli.
Ndeshja Barcelona – Espanyol zhvillohet të dielën nga ora 16:15 dhe i takon xhiros së 12-të të La Ligas.
Duket pak e besueshme që skuadra e Flickut do të ndalet nga Espanyoli, sidomos pas fitoreve ndaj gjigantëve evropianë. Por janë pikërisht ndeshjet si kjo ndaj Espanyolit që kanë rëndësi të madhe në renditjen tabelore në fund.
Espanyoli është vetëm i 17-ti në tabelë me 10 pikë të mbledhura. Barça udhëheq me 30 pikë, gjashtë më shumë se Real Madridi e nëntë më shumë se Villarreali.
Real Madridi është dashur të luajë ndaj Valencias të shtunën, por kjo ndeshje është shtyrë për shkak të reshjeve të mëdha dhe vërshimeve në Valencia. Është shtyrë edhe takimi mes Villarrealit dhe Rayo Vallecanos.
Atletico Madridi, që është në vendin e katërt me 20 pikë, të dielën nga ora 14:00 e pret Las Palmasin.