Futboll

Barça kërkon revanshin

Barcelona

Osasuna është skuadra e parë që e mposhti Barcelonën në këtë edicion të La Ligas. Në kuadër të xhiros së tetë, Osasuna e kishte fituar 4:2 ndeshjen në shtëpi. Shumë gjëra kanë ndryshuar prej asaj ndeshjeje të 28 shtatorit. Por Barça vazhdon të mbetet pretendente e madhe për titull.

Dhe të shtunën prej orës 21:00, skuadra e Hansi Flickut e kërkon revanshin ndaj Osasunas. Ndeshja në Barcelonë i takon xhiros së 27-të të kampionatit spanjoll.

Barcelona është favorite e madhe. Udhëheq në tabelë me 57 pikë, ndërsa në mesjavë fitoi në Champions ndonëse ishte me një lojtar më pak në fushë për mbi 70 minuta. Osasuna është e 11-ta me 33 pikë. Me një tjetër befasi ndaj Barcelonës do të stabilizohej edhe më shumë në mesin e tabelës.

Garën e fortë për titull, Barcelona po e zhvillon me skuadrat e Madridit.

Atletico Madridi është në vendin e dytë me 56 pikë. Ndërkohë Real Madridi është i treti me 54 pikë. Edhe skuadrat madrilene janë në Champions, madje përballen mes vete, por tashmë e kanë kthyer përkohësisht fokusin te ndeshjet e fundjavës.

Të dielën prej orës 14:00, Atletico Madridi luan në udhëtim ndaj Getafes. Prej orës 16:15, Real Madridi e pret Rayo Vallecanon.

Getafe e mban pozitën e 14-të me 30 pikë. Rayo Vallecano renditet në vendin e shtatë me 36 pikë.