Futboll

Barça e Madridi presin fitore të reja

Barcelona

Pas ndeshjeve në Ligën e Kampionëve, Barcelona e Real Madridi i kthehen garës për titull në La Liga.

Në kuadër të xhiros së 15-të. Barcelona e pret Las Palmasin. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 14:00. Barça është lidere me 34 pikë. Las Palmasi është në pozitën e 17-të me 12 pikë.

Në xhiron e kaluar, Barcelona luajti vetëm 2:2 me Celta Vigon. Më 10 nëntor madje ishte mposhtur 1:0 nga Real Sociedadi. Këto dy dështime bënë që Real Madridi të afrohet me pikë.

Madrilenët i kanë 30 pikë, por edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Skuadra e Carlo Ancelottit luan të dielën. E pret Getafen nga ora 16:00.

Getafe është në vendin e 15-të me 13 pikë. Dështimi eventual i Barcelonës apo Real Madridit mund të kishte ndikim jo të vogël në garën e fortë për titull. Atletico Madridi është po ashtu pjesë e garës. I ka 29 pikë në vendin e tretë. Atletico Madridi luan në udhëtim ndaj Real Valladolidit, të shtunën nga ora 21:00.