Futboll

Ballkani zyrtarizon Odën

Ballkani

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është përforcuar me mesfushorin Almir Oda. Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën klubi nga Suhareka. 

“Kemi kënaqësinë që skuadrës tonë kampione, iu bashkua edhe një aset i rëndësishëm i futbollit kosovar. Mesfushori Almir Oda, i ciki karrierën e tij e ka zhvilluar në Austri, tashmë është veshur portokall e zi. Klubi i dëshiron mirëseardhje 20-vjeçarit dhe suksese drejt arritjes së objektivave tona të përbashkëta”, ka shkruar Ballkani. 

20-vjeçari, Oda së fundmi ishte pjesë e skuadrës nga Austria, Rapid Viena. Pjesë e Rapidit është nga mosha 9-vjeçare. Nuk bëri debutimin në skuadrën seniore, por ka luajtur në ekipin e dytë të Rapidit në kategorinë e dytë austriake. 

Oda ka pasur tri paraqitje tek Austria U19, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Maqedoninë e Veriut. Skuadra suharekase së fundmi u nda me trajnerin Ilir Daja.