Një gol i shënuar në fund të pjesës së parë dhe një tjetër në fund të pjesës së dytë ia kishin siguruar Ballkanit një fitore të madhe në Ligën e Konferencës. Fitorja ndaj gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, me rezultatin 2:0 në Prishtinë, ishte vlerësuar historike për futbollin e Kosovës.
Por për ndeshjen e fituar nga Ballkani, më 5 tetor të vitit të kaluar kundër skuadrës kroate, Dinamo, Prokuroria Themelore në Prishtinë së fundi ka nisur hetimet.
“E konfirmojmë se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga Prokurori i Shtetit lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KOHËN nga Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Klubi i Ballkanit të shtunën në mbrëmje doli me një reagim. Te Ballkani mohojnë përfshirjen në kurdisje të ndeshjes, ndërsa kanë ofruar bashkëpunim.
“Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik. Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë. Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë”, thuhet në reagimin e klubit suharekas.
Ballkani ishte dukshëm ekip më i mirë në fushë se Dinamo, që pothuajse nuk rrezikoi fare portën e kampionit kosovar në atë ndeshje. Skuadra nga Suhareka atëbotë ishte më dominuese edhe sa i përket posedimit të topit, ndërsa vazhdimisht sulmonte dhe tentonte shënimin.
Fitorja nuk doli e mjaftueshme. Kampioni i Kosovës e përfundoi fazën e grupeve i fundit me katër pikë.
Mediumet kroate e patën vlerësuar turpërim humbjen e Dinamos në Prishtinë, duke thënë se kjo jo vetëm që ishte disfata më turpëruese në histori të klubit në garat
evropiane, por edhe paraqitja më e dobët.
Dinamo nuk ka reaguar, ndërsa nuk ka pasur shumë raportime në mediumet kroate në lidhje me nisjen e hetimit për ndeshjen Ballkani – Dinamo. Ndërkohë mediat në Serbi kanë shkruar me të madhe për këtë rast.
Nuk kanë reaguar as Federata e Futbollit e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, të dielën. Por nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i Këshillit, Besim Kelmendi, ka thënë se nuk mund të japë njoftim.
“Meqenëse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimin, ne si këshill nuk mund të japim njoftime”, ka thënë Kelmendi, i cili është edhe ushtrues i detyrës së kryeprokurorit.
Dinamo ishte në një situatë të ngjashme edhe në vitin 2015, ku për rival kishte Skënderbeun. Kishte dyshime për vënie të bastit në ndeshjen të cilën Dinamo e pati fituar ndaj Skënderbeut në “Maksimir” me rezultatin 4:1.
Skënderbeu u suspendua për dhjetë vjet nga garat e UEFA.
Gazeta e madhe franceze “Le Parisien” vitin e kaluar pati shkuar se Llapi i Podujevës dyshohej për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
Sipas “Le Parisien”, rrjeti i të përfshirëve ishe i madh, ndërsa ka edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.
Akuza dhe hetime për kurdisje ka pasur edhe në të kaluarën. Por pa u marrë ndonjë vendim. Për kurdisje ka hetime edhe në sporte të tjera.