Futboll

Ballkani lëshon biletat falas për ndeshjen ndaj Santa Colomas

KF Ballkani

Ballkani e fitoi 2:1 ndeshjen e parë në udhëtim te Santa Coloma, në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

I ka gjasat shumë të mira për të avancuar tutje.

Ndeshjen kthyese e luan të martën nga ora 16:30 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Tri herë rresht fituesi i Superligës së Kosovës ka kërkuar mbështetjen e tifozëve, ndërsa ka njoftuar se hyrja do të jetë pa pagesë.

“Për ndeshjen e parë si vendas në Evropë, që e zhvillojmë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, biletat i kemi lëshuar falas! Dueli kthyes ndaj Santa Colomas zhvillohet të martën, me fillim nga ora 16:30 dhe FC Ballkani ju fton të gjithëve për ta vazhduar bashkë rrugën tonë, në Ligën e Kampionëve. Na priftë e mbara”, ka shkruar Ballkani të shtunën në Facebook.

Ballkani dy herë ishte pjesëmarrës në fazën grupore të Ligës së Konferencës.