Derisa kampioni i tri edicioneve të fundit të Kosovës në futboll, Ballkani, është në kërkim të paraqitjes së tretë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës, Drita synon paraqitjen për herë të parë.
Për t’u kualifikuar në fazën grupore të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli, dy skuadrat kosovare duhet t’i eliminojnë edhe nga dy kundërshtarë. Pra ta kalojnë me sukses raundin e tretë kualifikues dhe ndeshjen e plejofit.
Te Ballkani e Drita kanë bindjen se mund t’i kalojnë me sukses dy kundërshtarët e ardhshëm.
Kalimin në raundin e tretë, Ballkani e Drita e siguruan të martën.
Portieri i Ballkanit, Enea Koliçi të mërkurën ka thënë për KOHËN se synimi është paraqitja për herë të tretë rresht në grupet e Ligës së Konferencës.
“Besimi është i madh dhe shpresoj të arrijmë përsëri të paraqitemi në grupet e Ligës së Konferencës. Për fat të keq e filluam keq në Ligën e Kampionëve ku me një fitore ndoshta do të ishte më i lehtë kalimi në fazën e grupeve. Gjithsesi, tash e kemi ne në duar dhe me paraqitje sa më të mirë në ndeshjet e ardhshme të arrijmë objektivin”, ka thënë Koliçi.
Ballkani këtë edicion në Evropë ka qenë larg paraqitjeve që kishte dy edicionet e kaluara në garat evropiane.
U eliminua nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u eliminua nga UE Santa Coloma. Por suharekasit kaluan me sukses raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe tashmë kanë synim paraqitjen në grupe. Ballkani do të luajë me Larnen e Irlandës së Veriut – ekip të cilin skuadra kosovare e eliminoi lehtësisht vitin e kaluar. Ndeshja e parë luhet më 8 gusht në Podujevë, ndërsa ajo e kthimi më 15.
Synimi i madh i tyre është paraqitja për herë të tretë në grupet e Ligës së Konferencës.
Te Ballkani janë bërë shumë ndryshime. Shumë lojtarë janë larguar, ndërsa prurjet vlerësohet të mos jenë përshtatur ende në ekipin e Ballkanit.
Koliçi insiston se ndryshimet kanë ndikuar në paraqitjen e Ballkanit. Por ka bindjen se do të përmirësohen më shumë në të ardhmen.
“Siç dihet në ekip ka pasur shumë ndryshime. Janë larguar lojtarë që kanë shkruar histori me klubin e Ballkanit. Kanë ardhur lojtarë të rinj dhe normalisht u duhet kohë për t’u përshtatur me lojën që kërkon trajneri. Kjo është vërejtur edhe në ndeshjen e parë, por për fat të mirë që kemi rritur ritmin e lojës në dy ndeshjet e kaluara dhe besoj se me kalimin e kohës do të përmirësohemi edhe më shumë”, ka theksuar Koliçi.
Ndryshime janë bërë edhe te Drita, skuadër që drejtohet nga trajneri shkupjan, Zekirija Ramadani.
Edhe trajneri Ramadani i është gëzuar kalimit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ai thotë se kanë skuadër për të siguruar paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës.
“Me shumë angazhim arritëm dy fitore përballë një skuadre të fortë që vitin e kaluar ishte pjesëmarrëse në grupet e Ligës së Konferencës. Kjo do të thotë se me plot meritë jemi në raundin e tretë. Gjithmonë jemi kërkues nga vetja dhe asnjëherë nuk mendojmë se mjafton me kaq, por punojmë dhe dëshirojmë arritje edhe më të mëdha. Do ta japim maksimumin të arrijmë grupet. Kemi kualitet edhe pse kemi bërë shumë ndryshime. Futbollistët e rinj shumë shpejt janë përshtatur me kërkesat e stafit”, ka thënë Ramadani për KOHËN të mërkurën.
Në rundin e tretë, Drita do të ketë kundërshtar relativisht të lehtë. Të paktën në letër. Do të ballafaqohet me Audan e Letonisë, një herë fituesen e Kupës.
Drita e nisi rrugëtimin në kupat evropiane këtë edicion nga rundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës. Paraqitjen në garën e tretë të UEFA-s për nga niveli, e siguroi si e treta në kampionatin e Kosovës. Në rundin e parë kualifikues ishte e lirë.
Drita në gara evropiane paraqitet nga edicioni 2018/19.
Ndërkohë, Llapi të enjten nga ora 17:00 e luan ndeshjen e kthimit në Podujevë kundër Brondbyt danez. Në Danimarkë, Llapi humbi thellë 6:0. Pra, ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina është pa gjasa për kalim në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.