Javët e ardhshme për sulmuesin e talentuar të Zuerichut, Labinot Bajramin, do të jenë vendimtare. Ai ka dy opsione për karrierën e tij, ka shkruar gazeta zvicerane “Blick” të enjten. Duhet të luftojë për ta rikthyer vendin në ekipin e parë të skuadrës elitare të Zvicrës, ose të largohet nga klubi.
Paqartësia e së ardhmes së Bajramit ka ardhur pas skandalit që ndodhi në fundjavë në raundin e parë të Kupës së Zvicrës, kur Zuerichu fitoi 2:0 në udhëtim te skuadra Zug dhe avancoi tutje.
Pas zëvendësimit pas 19 minutash lojë pasi ishte inkuadruar në fushë, babai i Labinotit kishte hedhur çadër nga tribuna në drejtim të trajnerit Ricardo Moniz, për shkak të pakënaqësisë. Zëvendësimi i Bajramit nga trajneri Moniz kishte ardhur pasi Labinoti nuk i ishte bindur udhëzimeve të trajnerit holandez, madje edhe e kishte fyer atë.
Labinot Bajrami vlerësohet lartë në Zvicër për talentin që ka, ndërsa grupmosha U21 është e njohur për të.
Ai përfundoi në vendin e tetë në tabelë me Zuerichun U21 në edicionin e kaluar, por kishte shënuar 18 gola dhe ishte golashënuesi më i mirë i asaj lige.
Për shkak të formës së mirë që kishte shfaqur me të rinjtë e Zuerichut, Bajrami ishte shpërblyer me kontratën e parë profesionale, e cila i skadon në vitin 2028.
“Blick” ka shkruar të enjten po ashtu se nëse Bajrami e pranon rolin e tij te grupmosha U21 dhe e jep më të mirën, vendi i tij tek ekipi senior është i mundur.