Futboll

Bajrami i vendosur të lërë gjurmë te Rangersi

Nedim BAjrami

Lojtari i rëndësishëm i Kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami, është i vendosur që të lërë gjurmë te skuadra e madhe skoceze, Rangers. 

Bajrami, që luan në repartin ofensiv, iu bashkua Rangersit në orët e fundit të afatit kalimtar. Menjëherë më pas udhëtoi për në Tiranë dhe u bashkua me Shqipërinë. Bajrami pritet të debutojë të dielën në ndeshjen e kampionatit skocez ndaj Dundee Unitedit. 25-vjeçari mezi pret të prezantohet para tifozëve të zjarrtë skocezë.

“Kur kam dëgjuar që Rangersi më dëshiron, isha i entuziazmuar për këtë. Agjenti im dhe unë udhëtuam për në Londër dhe një ditë më pas udhëtuam për në Glasgow. Kam takuar trajnerin dhe më pas shkuam në ‘Ibrox’. Kam nënshkruar në ditën e fundit, ishte ditë stresuese, por isha shumë i lumtur që iu bashkova Rangersit, një klubi kaq të madh me histori të mahnitshme”, ka thënë Bajrami.

Ai të premten ka zhvilluar stërvitjen e parë me gjigantin skocez. Ai tashmë po ndihet shumë mirë në Skoci.

“Kemi zhveshtore të mirë dhe tashmë po ndihem i lumtur. Jam i gatshëm për lojë dhe sapo kam luajtur dy ndeshje me Shqipërinë. Por varet nga trajneri nëse do të luaj. Kemi presion çdo javë këtu. Jam i lumtur që do ta ndiej këtë presion dhe më pëlqen ai. Do të bëj gjithnjë më të mirën për ekipin. Më pëlqen të luaj me top dhe si ekip kemi topin në shumicën e kohës. Do të mundohem të shënoj sa më shumë gola dhe të bëj sa më shumë asistime për ta ndihmuar ekipin”.

Ai u largua nga Sassuolo e Italisë për Rangersin. Në futbollin ndërkombëtar Rangersi është ekip dukshëm më i famshëm. Tifozët e Rangersit presin trofe vazhdimisht dhe Bajrami është i vetëdijshëm për këtë. 

Rangersi ka 55 tituj, që është rekord. Por të fundit e ka fituar në vitin 2021. Kupën skoceze e ka fituar 34 herë, ndërsa Kupën e Ligës Skoceze 28 herë që po ashtu është rekord.

Bajrami në Itali ka luajtur për Empolin e Sassuolon. Në Zvicër, ku u zhvillua, ishte te Grasshopperi.
“Kam luajtur në Itali për pesë vjet dhe futbolli atje është shumë taktik. Kam folur me disa lojtarë që ishin këtu më parë, për ardhjen në Rangers. Më kanë thënë gjëra të mira për Skocinë dhe futbollin këtu. Më pëlqen të luaj para, të asistoj dhe të shënoj gola. Mund të luaj në krahun e majtë, por preferoj të luaj si numër 10. Do të luaj ku të më kërkohet. Nëse dikush është në pozitë më të mirë se unë, më pëlqen t’i asistoj. Pres të përshtatem shpejt dhe synimi është të fitoj trofe, të bëj më të mirën për ekipin dhe tifozët”, ka thënë Bajrami.