Futboll

Atletico fiton me vështirësi ndeshjen ndaj Valladolidit

Atletico Madrid

Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madrid, e ka fituar me vështirësi ndeshjen ndaj Valladolidit, që zë vendin e fundit në La Liga. Atletico mposhti Valladolidin me rezultat 4:2 të hënën, në ndeshjen që i takoi javës së 31-të të elitës së futbollit spanjoll. Por në fakt, ishte skuadra mysafire që kaloi e para në epërsi në minutën e 21-të. Nga penalltia realizoi Mamadou Sylla. Por shkurt zgjati festa e ekipit mysafir. Atletico shënoi golin e barazimit vetëm katër minuta më vonë. Golin për 1:1 e shënoi Julian Alvarez po ashtu nga penalltia. Dy minuta më vonë, Giuliano Simeone kaloi Atleticon në epërsi. Por Valladolidi barazoi rezultatin në 2:2 në minutën e 56-të. Javi Sanchez shënoi golin e barazimit. Megjithatë në minutën e 71-të, Alvarez shënoi golin e dytë dhe atë sërish nga penalltia. Golin për 4:2 e shënoi Alexander Sorloth në minutën e 79-të. 

Atletico zë vendin e tretë me 63 pikë. Shtatë më shumë i ka liderja Barcelona. Reali është në vendin e dytë me 66 pikë.