Kryendeshja e xhiros së 29-të të Serie A vlerësohet të jetë ajo ndërmjet Atalantas dhe Interit.
Kjo ndeshje zhvillohet të dielën nga ora 20:45.
Skuadra e Berat Gjimshitit, Atalanta, xhiron e kaluar shënoi fitore të thellë ndaj Juventusit, 4:0.
Atalanta nuk di për humbje në shtatë ndeshjet e fundit në ligë.
Ka katër fitore dhe tri barazime.
Ndërkohë në formë të mirë është edhe skuadra e Interit.
Interi është kampion në fuqi i Italisë.
Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi, së fundi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Në një të tetën e finales, Interi e eliminoi Feyenoordin.
Atalanta u eliminua në plejofin e fazës nokaut të “Championsit”.
Interi pas 28 ndeshjeve të zhvilluara është lider me 61 pikë.
Atalanta ka tri pikë më pak në pozitën e tretë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri, Gian Piero Gasperini, nuk ka fituar ndaj Interit që nga 11 nëntori i vitit 2018.
Interi pra është në seri prej 12 ndeshjeve pa humbje ndaj Atalantas.
Skuadrat kanë zhvilluar 142 ndeshje në të gjitha garat.
Interi prin bindshëm me 79 fitore.
Atalanta ka 27 fitore,. kurse 36 ndeshje kanë përfunduar baras.
Të dy skuadrat kanë shënuar më së shumti gola deri më tani në kampionatin italian.
Në pozitën e dytë në Serie A gjendet Napoli me 60 pikë.
Napoli të dielën nga ora 12:30 do të luajë në udhëtim te skuadra e Venezias.
Venezia është në pozitën e parafundit me 19 pikë.
Të dielën luhen edhe ndeshjet Bologna - Lazio nga ora 15:00, Roma - Cagliari nga ora 16:00 dhe Fiorentina - Juventus nga ora 18:00.
Ndërkohë të shtunën nga ora 18:00, Milani e pret Comon.