Futboll

Asllani mund të bëhet bashkëlojtar me Zhegrovën

Fisnik Asllani

Qendërsulmuesi Fisnik Asllani mund të bëhet bashkëlojtar me Edon Zhegrovën te skuadra e Lillet. 
“Sport.fr” ka raportuar se Lille është i interesuar që t’i sigurojë shërbimet e Asllanit në afatin kalimtar të verës. 

Te skuadra e Bruno Genesios e shohin reprezentuesin e Kosovës, Asllanin, si zëvendësues të kanadezit, Jonathan David. 

Për Davidin me shumë gjasa ky edicion është i fundit te klubi francez, pasi për të kanë shprehur interesim disa skuadra evropiane. 

Kartoni i Asllanit vlerësohet të jetë nga pesë deri në tetë milionë euro dhe një shifër e tillë është e përballueshme për Lillen. 

22-vjeçari Asllani është prej sulmuesve më të mirë në Bundesliga 2. 

Sulmuesi që luan për Elversbergun ka realizuar plot 17 gola, ndërsa ka kontribuuar edhe me gjashtë asistime në 30 paraqitje.

Asllani është i huazuar tek Elversbergu deri në verë nga skuadra e Hoffenheimit. 

Me Hoffenheimin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. 

Pos Lillet për Asllanin kanë shprehur interesim edhe Fenerbahçe, Anderlechti dhe Sportingu i Lisbonës. 

Ndërkohë ka gjasa që Zhegrova të largohet nga Lille në verë.