Futboll

Asllani ëndërron të luajë në Ligën e Kampionëve

Fisnik Asllani

Fisnik Asllani është prej sulmuesve më të mirë në Bundesliga 2, njërën prej ligave që vlerësohet goxha shumë.

Sulmuesi i Kosovës, që luan për Elversbergun, ka realizuar plot 17 gola, ndërsa ka kontribuuar edhe me pesë asistime në 28 paraqitje. Forma që 22-vjeçari ka treguar gjatë këtij edicioni ka bërë që shumë skuadra elitare të Gjermanisë të shprehin interesim. Asllani thotë se është i gatshëm të bëjë hapin tjetër të madh në karrierë. Madje ëndërr e tij është të paraqitet për një skuadër që luan në garën elitare evropiane për klube - Ligën e Kampionëve.

“Gjithmonë kam thënë se dua të luaj në Ligën e Kampionëve një ditë. Është ëndrra ime më e madhe. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Klubi im i ëndrrave ka qenë gjithmonë Barcelona dhe asgjë nuk ka ndryshuar” ka deklaruar sulmuesi shtatlartë për emisionin “Stammplatz”, shkruan mediumi gjerman “Bild” të enjten.

Deri në fund të edicionit aktual në kategorinë e dytë të futbollit gjerman kanë mbetur edhe pesë xhiro, ndërsa kundërshtarët e Elversbergut do të jenë Dusseldorfi, Paderborni, Nurnbergu, Barunschweigu dhe Schalke. Elversbergu është i treti me 47 pikë pas 29 ndeshjeve të luajtura, aq sa ka edhe Dusseldorfi në vendin e katërt. Hamburgu i pari ka 52 pikë, kurse Kolni një pikë më pak. Vendi i parë e i dytë e sigurojnë direkt promovimin në Bundesligë, kurse vendi i tretë luan në plejof për inkuadrim në elitën gjermane.

Të shtunën nga ora 13:00, Elversbergu e pret Dusseldorfin në shtëpi.

“Do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme dhe mund të bëjmë hap të madh para. Por e para dhe më e rëndësishmja është që të vazhdojmë aty ku e kemi lënë”, ka deklaruar Asllani, që ndaj Hannoverit në xhiron e kaluar realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1 në udhëtim.

Ai tani është vetëm dy gola larg golashënuesit më të mirë të ligës Davie Selke të Hamburgut. Me nga 16 gola janë Martijn Kaars i Magdeburgut dhe Ragnar Ache i Kaiserslauternit.

Por Asllani beson se mund të shpallet golashënuesi më i mirë i Bundesligës 2.

“Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk e synoj të bëhem golashënuesi më i mirë. Por do të isha i kënaqur edhe nëse do të isha në mesin e tre golashënuesve më të mirë të ligës. Suksesi i ekipit është prioriteti ynë kryesor”, është shprehur Asllani.

Asllani karrierën e ka nisur te të rinjtë e Union Berlinit, ndërsa në vitin 2020 iu bashkua të rinjve të Hoffenheimit. Si i huazuar ka luajtur edhe tek Austria Vjena, ndërsa i huazuar deri në fund të edicionit aktual nga Hoffenheimi është edhe tek Elversbergu.

Me Hoffenheimin debutoi në Bundesligë ndaj Leipzigut në vitin 2021, ndërsa i ka dhjetë paraqitje gjithsej në elitën gjermane.

Ka pasur raportime se Union Berlini ka dashur ta kthente në skuadër Asllanin, por një gjë e tillë është refuzuar.

“Kam marrëveshje me klubin dhe dua ta mbyll sezonin këtu. E kam ndier që më mirë është të qëndroj këtu. Lëvizja tek Elversbergu ka qenë gjëja më e mirë që më ka ndodhur”, deklaroi Asllani.

Asllani në nivel përfaqësuesesh ka luajtur fillimisht për Kosovën U17, ndërsa paraqitje pati edhe te Gjermania U18 dhe U20. Më 6 shtator të vitit të kaluar ndaj Rumanisë debutoi tek ekipi A i Kosovës nën drejtimin e selektorit Franco Foda.

Ai në total ka gjashtë paraqitje me “Dardanët”.