Futboll

Asllani e Uzuni stërvitin të ndarë nga grupi

Asani

Shqipëria ka vazhduar stërvitjet për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve, por Kristjan Asllani dhe Myrto Uzuni ishin të ndarë nga grupi.

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të martën se Asllani dhe Uzuni kanë probleme muskulore dhe kanë stërvitur të diferencuar.

“Kombëtarja shqiptare ka kryer pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, në kuadër të ndeshjeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me grupin janë bashkuar edhe Nedim Bajrami, Arbër Hoxha e Qazim Laçi, ndërsa Kristjan Asllani e Myrto Uzuni kanë probleme muskulore dhe u stërvitën të diferencuar. Të dy lojtarët janë në monitorimin e stafit mjekësor të Kombëtares dhe pritet që nesër të bashkohen me grupin”, ka shkruar FSHF-ja ndër të tjera.

“Kuqezinjtë” sipas FSHF-së, të martën në “Shtëpinë e Futbollit” patën stërvitje me ngarkesë të plotë, dhe pas punës në palestër, janë provuar disa situata të ndryshme të lojës.

Shqipëria më 11 tetor luan ndaj Republikës së Çekisë, ndërsa tri ditë më vonë përballet me Gjeorgjinë. Të dyja ndeshjet i zhvillon në udhëtim.

Shqipëria në Grupin B1 të Ligës së Komebeve ka tri pikë në vendin e dytë, aq sa ka edhe Republika e Çekisë në vendin e tretë.

Ukraina është e fundit pa pikë, kurse grupit i prinë Gjeorgjia me gjashtë pikë.