Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani thotë se fitorja ndaj Ukrainës i takon të kaluarës. Ai thotë se synimi i Shqipërisë është fitorja e radhës kundër Gjeorgjisë. Ndeshja Shqipëri – Gjeorgji luhet të martën 20:45 në “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Shqipëria fitoi në Pragë të shtunën me rezultatin 2:1, kurse fitore shënoi edhe Gjeorgjia kundër Çekisë.
“Të dyja skuadrat vijnë nga fitoret. Ata kanë arritur fitore me rezultat të thellë kundër një kundërshtari siç është Çekia. Besoj se ne do ta respektojmë kundërshtarin tonë, por nuk do të kemi frikë. Jemi të lumtur që kemi pas vetes shikuesit. I falënderojmë. Gjeorgjia ka skuadër të madhe, po rritet. E kemi parë edhe në Evropian dhe tani. Kemi zhvilluar përgatitje të mirë dhe ndeshja ndaj Ukrainës duhet ta harrojmë, pasi i takon të kaluarës. Duhet të vazhdojmë tutje dhe të bëjmë pikë. Besoj se do të bëjmë pikë në këtë ndeshje”, ka thënë Asllani në konferencë për media.
Ai ka theksuar se është përshtatur mirë në rolin te Shqipëria. Asllani thekson se Shqipëria synon ngritjen e nivelit në Ligën e Kombeve.
“Nuk e prisja të bëjë këtë ecuri. Ky viti i fundit ka qenë shumë i mirë për Shqipërinë, për gjithë shqiptarët. Kemi luajtur në Evropian. Por duhet të harrojmë Evropianin dhe të fokusohemi në ngritjen e kombëtares, pasi tani e dimë të gjithë objektivin që kemi”, është shprehur Asllani, i cili debutoi dy vjet më parë me fanellën kuqezi në ndeshjen kundër Gjeorgjisë në “Air Albania”.
Ai thekson se synimi i Shqipërisë është kualifikimi në Kupën e Botës të vitit 2026.
“Synimi është kualifikimi në Kupën e Botës. Por duhet të mendojmë për këtë grup të vështirë që kemi. Kishim Ukrainën, tash kemi Gjeorgjinë. Pra ka ndeshje të vështira, por synimi është Kupa e Botës”, ka thënë Asllani.