Xabi Alonso ka vendosur të mbetet trajner i Bayer Leverkusenit dhe kështu u ka dhënë fund spekulimeve që e lidhnin atë me kalimin te Liverpooli dhe Bayerni.
“Është vendi i duhur për mua që të jem, që të zhvillohem si trajner”, ka thënë Alonso të premten. Ai ka shtuar se dëshira e skuadrës për sukses ishte arsyeja kryesore për të vazhduar qëndrimin te Leverkuseni.
“Më kanë dhënë shumë arsye për të vazhduar të besoj në ekip, me përkushtimin e tyre, dëshirën, urinë për të pasur edicion të suksesshëm. E ndiej që puna ime këtu nuk ka përfunduar ende”, ka shtuar 42-vjeçari.
Ai ka vazhduar duke thënë se dëshiron ta ndihmojë ekipin dhe po ashtu të ndihmojë lojtarët e rinj që të zhvillohen.
“Nëse jam pjesë e procesit, jam i lumtur me këtë. Duke i bashkuar të gjitha këto gjëra, ky vendim i rëndësishëm, shpresoj, jam i bindur se është i duhuri. Jam i lumtur. Jam ende i ri, kështu që koha do të tregojë, por tani ndihem kështu”, ka thënë ish-mesfushori i njohur spanjoll.
Alonso ka thënë se ka reflektuar për të ardhmen e tij gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar. Më pas ka njoftuar Leverkusenin për vendimin.
Leverkuseni është rrugës drejt titullit të parë në Bundesligën gjermane. I ka dhjetë pikë më shumë se Bayerni, tetë xhiro para fundit. Leverkuseni ishte në zonën e rënies kur Alonso mori drejtimin e skuadrës, në tetor të vitit 2022. Skuadra është ende pa humbje në të gjitha garat këtë edicion.
Ky bilanc ka bërë që Alonso të jetë njëri prej trajnerëve më të lakmuar në botën e futbollit. Ai ka edhe dy vjet në kontratën me Leverkusenin. Është puna e parë e tij si kryetrajner dhe Alonso beson se po mëson ende.
Alonso ishte lojtar i Bayernit dhe Liverpoolit. Të dy klubet e mëdha kërkojnë trajner të ri për edicionin e ardhshëm. Bayerni ndan rrugët me Thomas Tuchelin, ndërsa Juergen Klopp largohet nga Liverpooli pas nëntë vjetësh në krye.
Alonso nuk ka folur për kontaktet eventuale me dy ish-klubet e tij.
“Nuk do të ishte korrekte nga unë që të flas për klube të tjera, kur ato janë në këtë situatë. Janë klube me të cilat kam lidhje të fortë, kam luajtur për to. Kështu që i respektoj, por nuk është korrekte për mua të flas për to tani”, ka shtuar Alonso.
Spanjolli ka përsëritur se te Leverkuseni është në vendin e duhur, se dëshiron të rritet bashkë me klubin, lojtarët dhe të mësojë prej tyre.
Alonso ka thënë se dëshiron të ndihmojë Leverkusenin që të bëhet skuadër pretendente në Ligën e Kampionëve. Tashmë është e qartë që Bayer Leverkuseni kthehet në Champions edicionin e ardhshëm.
Ndeshja e ardhshme e Leverkusenit është ndaj Hoffenheimit në Bundesligë, të shtunën. Skuadra e Alonsos i ka tetë ndeshje për 29 ditë. Do të paraqitet edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë dhe në çerekfinale të Ligës së Evropës.