Arsenali do ta vazhdojë garën e fortë për titull të Premier Leagues me ndeshje tjetër të vështirë në vikend.
“Revolveristët” aktualisht janë në vendin e parë me 71 pikë, aq sa ka edhe Liverpooli në vendin e dytë. Në pozitën e tretë është Manchester City, që ka një pikë më pak.
Arsenali të dielën prej orës 17:30 e pret Aston Villan, në ndeshjen e xhiros së 33-të.
Skuadra që drejtohet nga Mikel Arteta synon që ta vazhdojë formën e mirë dhe të mos pësojë humbje në vitin 2024 në Premier League.
Skuadra e Aston Villas në edicionin aktual u është gëzuar rezultateve të shumta pozitive, ndërsa në ndeshjen e parë të këtij edicioni kishte fituar ndaj Arsenalit me rezultatin 1:0.
Aston Villa është në vendin e pestë me 60 pikë, aq sa ka edhe Tottenhami në vendin e katërt.
Pra edhe Aston Villa e drejtuar nga Unai Emery synon fitoren për të zënë një vend që dërgon në Champions edicionin tjetër.
Sa u përket statistikave në ndeshjet e ndërsjella, Arsenali i ka fituar pesë nga gjashtë takimet e fundit në Premier League në shtëpi. Fitorja e fundit e Aston Villas në “Emirates” ishte 3:0, në nëntor të vitit 2020.
Arsenali në këtë ndeshje vjen pas barazimit 2:2 në mesjavë ndaj Bayern Munichut në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kurse Aston Villa mposhti Lillen, 2:1, në çerekfinalen e parë të Ligës së Konferencës.
Liverpooli, që u turpërua të enjten nga Atalanta në Ligën e Evropës, luan në shtëpi kundër Crystal Palacet, të dielën nga ora 15:00.
Ndërkohë Manchester City, të shtunën, nga ora 16:00, e pret Lutonin.
Dueli Chelsea – Everton e mbyll xhiron e 33-të të elitës angleze. Zhvillohet të hënën nga ora 21:00. Ndeshja Newcastle – Tottenham e hap këtë xhiro të Premier Leagues, të shtunën nga ora 13:30.