Futboll

Arsenali mund të përfitojë nga pasiguria e Donnarummas në topat e lartë

Gianluigi Donnarumma

Gianluigi Donnarumma është vlerësuar portieri më i mirë në botë nga trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, pasi pritjet e tij ndihmuan kampionin francez të sigurojë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht aftësisë për të ndalur gjuajtjet, Donnarumma mbetet i pasigurt në goditjet standarde dhe rivëniet nga këndi, që janë pikë e fortë e Arsenalit.

Arsenali e Parisi takohen të martën prej orës 21:00, në “Emirates” në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

Dhe portieri italian mund të jetë në qendër të vëmendjes. Gabimet e tij i kushtuan me humbje PSG-së në fillim të fazës së ligës nga Arsenali. Parisienët pësuan 2:0.

Dy javë më parë, 26-vjeçari bëri pritje të shkëlqyera derisa PSG-ja ishte nën presionin e Aston Villas në ndeshjen e dytë çerekfinale të Championsit. PSG-ja fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5:4, ndërsa kualifikimi ishte më së shumti meritë e shtatlartit Donnarumma.

Donnarumma ka dëshmuar se është i jashtëzakonshëm në vijën e portës, falë shpejtësisë dhe shkathtësisë së hatashme. Ai shkëlqeu kur Italia fitoi me penallti në finale të “Euro 2020” ndaj Anglisë. Shkëlqeu edhe kur PSG-ja e eliminoi me penallti Liverpoolin në një të tetën e finales në Champions.

Por është krejt ndryshe kur flitet nga goditjet standarde.

Ngurrimi i Donnarummas për të ndërhyrë pas goditjeve nga këndi dhe pas krosimeve është temë që nga edicioni i kaluar. Kjo mund të paraqesë problem të martën, duke ditur që Arsenali është skuadra më e mirë në top-pesë ligat evropiane në goditjet standarde dhe sidomos pas rivënieve nga këndi.

Trajneri i goditjeve standarde tek Arsenali, Nicolas Jover, vlerësohet shumë i rëndësishëm për londinezët. Ai punoi me Mikel Artetan edhe te Manchester City.

Pavarësisht se është i gjatë 1.96 centimetra dhe ka ndërtim trupor të mirë, Donnarumma nuk imponon veten në topat e lartë. Topat e lartë që përfundojnë rreth pikës së penalltisë shpesh shkaktojnë pasiguri në mbrojtjen e PSG-së. Shpesh mbetet hapësirë që nuk kontrollohet as nga portieri e as nga mbrojtësit.

PSG-ja humbi 3:1 nga Nice të premten. Ishte humbja e parë e edicionit në kampionatin francez. Dy gola erdhën pas krosimeve. E përditshmja franceze “L’Equipe” i dha Donnarummës notën tre nga 10 sa e ka maksimumin.

Pasimet e Donnarummas nga prapa, po ashtu nuk janë stabile. Italiani bëri disa gabime në kampionatin francez, ndërsa ishte fajtor për një gol të pabesueshëm ndaj Brestit në plejofin e Championsit.

Por janë topat që vijnë nga anash që i shkaktojnë më së shumti telashe portierit të kampionit francez. Hezitimi i tij ndaj topave të lartë u zbulua në humbjen e tetorit nga Arsenali. Ai u mposht pas një krosimi të ulët, ndërsa Kai Haverz shënoi me kokë golin e parë të Arsenalit.

Edicionin e kaluar të Championsit, në ndeshjen ndaj Barcelonës, Donnarumma dështoi të kontrollonte një goditje nga këndi. Dhe Andreas Christensen e shënoi me kokë golin e fitores. Donnarumma qëndroi në vijën e portës, ndërsa më herët në atë ndeshje kishte vështirësi të kontrollonte topin e krosuar nga Lamine Yamal, në situatën që përfundoi me gol të Raphinhas.

Ka edhe raste të tjera, kur njëri prej portierëve më të vlerësuar në botë kishte telashe me topa të lartë.