Në ndeshjen e parë pas kalimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Arsenali bëri një tjetër paraqitje të madhe. Të dielën fitoi kundër njërës prej skuadrave që rrezikojnë rënin në Championship.
Arsenali mposhti thellë, 4:0, Ipswich Townin në ndeshjen e xhiros së 33-të të Premier Leagues.
Arsenali dominoi nga fillimi dhe kaloi në epërsi në minutën e 14-të. Leandro Trossard ishte realizator. “Topçinjtë” dyfishuan epërsinë nëpërmjet Gabriel Martinellit, që shënoi në portën e zbrazët në minutën e 28-të.
Ipswichit iu vështirësuan punët edhe më shumë kur Leif Davis u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Bukayo Sakas, në minutën e 32-të.
Trossad shënoi tjetër gol për Arsenalin në minutën e 69-të. Golin e katërt për Arsenalin e shënoi zëvendësuesi Ethan Nwaneri në minutën e 88-të.
Arsenali pati edhe disa raste tjera. Ishte humbja e shtatë e Ipswichit në shtëpi gjatë vitit. Kjo skuadër është shumë afër rënies nga Premier League. Ipswichi është në vendin e 18-të me 21 pikë.
Me fitore Arsenali ka “shtyrë” festën e Liverpoolit. Arsenali është në vendin e dytë me 66 pikë.