Ka bërë bujë fitorja 2:1 e Arminia Bielefeldit ndaj Bayer Leverkusenit, të martën mbrëma në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë në futboll. Skuadra e kategorisë së tretë ka shokuar kampionin në fuqi dhe fituesin në fuqi të Kupës, Leverkusenin.
Humbja është përjetuar rëndë te Bayer Leverkuseni.
Pas ndeshjes lideri i mesfushës, Granit Xhaka, ka pasur një diskutim shumë të ashpër me ultrasit e Leverkusenit. Xhaka është parë disa herë të ngre gishtin në drejtim të tifozëve, ndërsa ishte shumë pranë tyre. Diskutimi ka zgjatur goxha shumë. Edhe njëri prej tifozëve është parë duke drejtuar gishtin kah Xhaka, ndërsa të dy ishin me fytyrë fare pranë. Ai moment, i transmetuar në televizion, bëri bujë në mediat gjermane e zvicerane.
Xhaka nuk ka folur pas ndeshjes dhe nuk është plotësisht e qartë çka u diskutua. Por natyrisht humbja është pranuar rëndë nga të dy palët.
Paraqitja e Leverkusenit është vlerësuar dëshpëruese.
“Natyrisht, të gjithë jemi të dëshpëruar. Kjo është bindshëm paraqitja jonë më e zbehtë këtë edicion. Dhe kjo ndodhi në një ndeshje të rëndësishme”, ka thënë drejtori sportiv, Simon Rolfes.
Reprezentuesi gjerman, Robert Andrich, po ashtu ishte shumë kritik.
“Duhet të pranojmë që kemi dështuar plotësisht”, ka thënë Andirch.
Leverkuseni tani ka mbetur në garë vetëm për titull të Bundesligës. Por është gjashtë pikë prapa Bayernit.
Mbetet të shihet nëse diskutimi do të ketë ndikim në raportin e Xhakës me tifozët e Leverkusenit. Deri më tani ai është çmuar te skuadra gjermane, që vjet shkroi histori.
VIDEO:
Granit Xhaka geriet mit den eigenen Fans aneinander, gestenreich diskutierte der Anführer von Bayer Leverkusen vor dem Auswärtsblock mit den aufgebrachten Anhängern.#skypokal #dfbpokal pic.twitter.com/SIcpljQtrK