Janë tri vendime të ndryshme të marra nga organi i zgjedhjes së mosmarrëveshjeve të Shtëpisë Botërore të Futbollit (FIFA), të cilat tregojnë se Adana Demirspori është urdhëruar të paguajë 450 mijë euro yllit të Elfsborgut, Arbër Zeneli. Kështu ka raportuar të enjten mediumi suedez “fotbollskanalen.se”.
Klubi turk ka pasur mundësinë të apelojë vendimet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), por një gjë të tillë nuk e kanë bërë. CAS e ka konfirmuar nëpërmjet një emaili për mediumin suedez. Prandaj, Zeneli ka të drejtën e përfitimit financiar të lartpërmendur.
30-vjeçari Zeneli prishi kontratën me Adana Demirsporin më 18 janar të vitit të kaluar, pas mospagesës së pagave. Dhe ai u ankua në FIFA për çështjen e pagave.
Kalimi tek Elfsborgu u vonua për shkak të situatës me Adana Demirsporin. Megjithatë, më 20 mars, klubi suedez dhe ai turk ranë dakord për një plan pagese që do të zgjidhte mosmarrëveshjen e dytë – dhe të nesërmen e 21 marsit, Zeneli u prezantua nga Elfsborgu.
Në vendimet e FIFA-s që ka siguruar “fotballskanalen”, del se marrëveshja ishte që klubi turk t’i paguante kosovarit gjithsej 650 mijë euro neto, por e ndarë në disa paga mes majit dhe nëntorit të vitit të kaluar.
Por, Adana Demirspori nuk e përmbushi as atë marrëveshje. Kur paratë nuk u transferuan në xhirollogarinë e Zenelit, ai zgjodhi ta çojë sërish çështjen në FIFA dhe pati plan të ri të pagesës, që tani i është dhënë e drejta e 450 mijë eurove për gjithsej pesë paga të ndryshme që nuk u paguan nga Adana Demirspori.
Nuk dihet nëse Zeneli ka marrë 200 mijë eurot e mbetura të cilat duhet të ishin transferuar në llogarinë e tij deri më 30 nëntor.
Sulmuesi i krahut ishte larguar nga Reimsi i Francës për t’iu bashkuar në fillim të shtatorit të vitit 2023 klubit elitar të Turqisë, Adana Demirspor.
Zeneli hapat e parë me futboll i bëri pikërisht në klubin e Elfsborgut. Ai në janar të vitit 2016 u largua nga Suedia për ta vazhduar karrierën në Holandë, përkatësisht në klubin e Heerenveenit.
Në janar të vitit 2019 bëri një hap tjetër në karrierë duke iu bashkuar Reimsit të Ligue 1 të Francës. Në Francë u përball me lëndime, ndërsa humbi edhe vendin te Kosova. Për Kosovën në 33 ndeshje ka shënuar nëntë gola. Para se t’i bashkohej Kosovës, Zeneli luajti për ekipet zinxhirë të Suedisë.