Pasi Apeli i UEFA-s vendosi për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës, Federata kosovare e Futbollit publikoi një komunikatë me “nota shumë pozitive”, ndonëse ndeshja u humb me rezultat zyrtar 3:0.
Sipas FFK-së, “vendimi i UEFA-s konfirmonte veprimet e arsyeshme të Kombëtares së Kosovës kundër sjelljeve raciste dhe mesazheve provokuese politike”.
Në atë komunikatë ku vendimi i UEFA-s thuajse cilësohej fitore për Kosovën, FFK-ja paralajmëronte se do t’i drejtohej CAS-it për humbjen 3:0.
“Ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3:0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK-ja do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë”, shkruante në komunikatën e FFK-së, të 20 nëntorit.
Prej atëherë federata kosovare nuk ka njoftuar për ndonjë hap konkret lidhur me dërgimin e rastit në CAS.
KOHA të martën, përmes emailit, ka kërkuar qëndrim nga FFK-ja lidhur me dërgimin e rastit në CAS, por nuk mori përgjigje.