Futboll

Ancelotti: Duhet shijuar ditët para finales së Championsit

Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti

Këshilla më e mirë që Carlo Ancelotti mund t’ua jap lojtarëve të Real Madridit derisa ata po përgatiten për finalen e Championsit ndaj Borussia Dortmundit është që ta shijojnë momentin.

Kështu të paktën ka thënë vetë trajneri italian të hënën.

64-vjeçari beson se lojtarët e tij kanë përvojën e duhur që t’i përballojnë emocionet e finales.

“Është një javë që duhet shijuar. Sfida, kundërshtari... do ta shijojmë deri të premten. Kualifikimi në finale është gjithnjë sukses”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp, të hënën.

“Kemi shumë besim. Nuk mendojmë për atë se a jemi favoritë. Duhet të luajmë ndaj ekipit që arriti sukses të madh duke eliminuar PSG-në, Atletico Madridin. Lojtarët e ekipit rival kanë shfaqur përkushtim”.

I njohur për qetësinë dhe aftësinë taktike, Ancelotti është prej trajneriëve më të suksesshëm në histori. Është i pari që ka fituar tituj në pesë ligat e mëdha evropiane.

Kur u kthye në Madrid për periudhën e dytë, në vitin 2021, Ancelotti e ka ditur se duhet të shtojë trofe të tjerë në koleksionin e jashtëzakonshëm të klubit. Dhe këtë po e arrin me sukses të plotë.

Finalja mes Dortmundit dhe Real Madridit është më 1 qershor.