Futboll

Ancelotti beson në shkëlqimin e Mbappes, Flick synon fitoren

Barcelona & Real Madrid

Kylian Mbappe ende “është duke e kërkuar formën më të mirë”, por “ai e di se çfarë duhet të bëjë” në “El Clasicon” e parë të shtunën.

Kështu ka thënë të premten në konferencën për shtyp trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, në prag të ndeshjes derbi me Barcelonën.

Real Madrid – Barcelona luhet të shtunën nga ora 21:00 në “Santiago Bernabeu”.

Francezi ka shënuar tetë gola qëkur iu bashkua gjigantit spanjoll nga Paris Saint-Germaini në verë, ndërsa e ka shënuar vetëm një gol prej kur pësoi lëndim në fund të muajit shtator.

Ai pritet që të shpërthejë në klasiken e parë të shtunën. Ndaj skuadrës nga Katalonja, Mbappe ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshje sa ishte futbollist i PSG-së. Ancelotti beson se superylli francez është shumë mirë i përgatitur për këtë betejë.

“Ai e ka eksperiencën dhe ka luajtur shpesh ndaj Barcelonës”, ka thënë Ancelotti. “Ai e di se çfarë duhet të bëjë. Mënyra se si është përgatitur për ndeshje ka qenë shumë e qetë, por shumë e drejtpërdrejtë. Ai beson në kualitetet e tij. Ne kemi besimin se ai do të sjellë diçka të mirë për skuadrën. Njësoj beson edhe ai”.

Në dy edicionet e fundit para kalimit në Madrid, Mbappe shënoi 85 gola në të gjitha garat, por ende i duhet kohë për t’u adaptuar me fanellën e Real Madridit.

Ancelotti ka thënë se është i kënaqur me fillimin e karrierës së Mbappes në La Liga dhe beson se “do të përmirësohet” me kohën.

“Jemi të kënaqur. Mbappe ka shënuar gola, ka qenë i rëndësishëm për ekipin. Ai po e kërkon formën më të mirë dhe ne nuk jemi në nguti. Nuk është as ai. Ai do të përmirësohet sepse i ka kualitetet”, ka deklaruar Ancelotti.

Barcelona është lidere me 27 pikë, tri më shumë se Real Madridi i vendit të dytë dhe Ancelotti pret ndeshje të vështirë ndaj skuadrës që drejtohet nga Hansi Flick.

E vetmja humbje e Barcelonës ishte ajo nga Osasuna në muajin shtator dhe ka start thuajse të përkryer me rezultate.

Barcelona ka impresionuar edhe në Ligën e Kampionëve duke e shkatërruar Bayern Munichun 4:1 të mërkurën mbrëma. Trajneri Flick ka bërë që edhe Robert Lewandowski ta gjejë formën më të mirë.

Ancelotti ka qenë me plot lëvdata për rivalen e përjetshme të Realit.

“Barcelona po bën punë të mirë. Në ndeshje të tilla si ‘Clasico’ është e vështirë të dihet kush është favorit. Por, për fat të mirë, askush nuk më ka bërë që të mbetem pa gjumë deri tani”.

Trajneri i Realit po ashtu bëri të ditur admirimin që e ka për Lamine Yamalin e Barcelonës. 17-vjeçari po kalon formë të shkëlqyer. Shkëlqeu edhe në “Euro 2024” kur Spanja triumfoi në Kampionatin Evropian. Deri tani ka pesë gola e shtatë asistime në 13 paraqitjet e këtij edicioni me Barcelonën.

Se është ndeshje e madhe, ka thënë edhe trajneri i Barçës, Flick.

Flick ka theksuar se do të luajnë dy prej rivalëve më të mëdhenj në futboll.

“Për këtë ne japim çdo gjë. Ne duhet ta fitojmë edhe ‘Clasicon’. Është detyra jonë. Të gjithë që nisin të luajnë futboll dëshirojnë të luajnë në ‘Clasico’. Por ky është i vërteti. Në Gjermani ne kemi disa ndeshje që quhen ‘Clasico’ po ashtu. Por nuk krahasohen me Barcelonën kundër Real Madridit, apo e kundërta. Të gjithë janë të lumtur dhe duhet vetëm të kënaqen. Dhe për t’u kënaqur duhet punë e madhe. Dhe ne do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Flick.

Nën drejtimin e Flickut po shkëlqen edhe Lewandowski. Lewandowski ka 15 gola në 13 paraqitje nën drejtimin e ish-trajnerit te Bayerni. Po shkëlqen edhe Raphinha, që së fundmi realizoi “hat-trick” në Ligën e Kampionëve ndaj bavarezëve.

“Tani do të luajmë kundër Real Madridit, ekipit me lojtarë të klasit botëror. Unë kam besim tek ekipi im, sepse të gjithë po luajnë për njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Secili e di punën e tij. Dhe fuqia jonë është kur jemi të bashkuar”, ka deklaruar Flick.