“Adidas” ua ka ndaluar tifozët që të blejnë fanellat e personalizuara të futbollit me numrin 44, pasi mediat e vunë theksin në ngjashmërinë e tyre me simbolin e përdorur nga njësitë naziste “SS” të epokës së Luftës së Dytë Botërore, raporton “BBC”.
“Ne do të bllokojmë personalizimin e fanellave”, ka thënë një zëdhënës i “Adidas”.
Njësitë “SS” ishin më përgjegjëset për krimet kundër njerëzimit të kryera nga nazistët. Detyrat e njësive “SS” përfshinin administrimin e kampeve të vdekjes ku u vranw miliona hebrenj.
Seti i fanellave i sapopublikuar ka shkaktuar polemika edhe për shkak të zgjedhjes së ngjyrës rozë për linjat e jashtme.
Zëdhënësi i “Adidas”, Oliver Brüggen, ka mohuar se ngjashmëria e setit të fanellave me simbolet naziste ishte e qëllimshme.
“Ne si kompani jemi të përkushtuar që të kundërshtojmë ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në çdo formë”, ka thënë ai.
Në një postim në rrjetin social “X”, Shoqata Gjermane e Futbollit (DFB) ka njoftuar se modelet e fanellave iu dorëzuan UEFA-s për shqyrtim gjatë procesit të projektimit dhe se “asnjë nga palët e përfshira nuk pa ndonjë afërsi me simbolizmin nazist”.
“Adidas” ka prodhuar fanella gjermane që nga vitet ‘50.
Një vendim i DFB-së për të hequr dorë nga kompania gjermane “Adidas” në favor të gjigantit amerikan “Nike” si prodhues i fanellave gjermane të futbollit nga viti 2027 është kritikuar si mungesë “patriotizmi” nga ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.
Gjermania do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian të Futbollit këtë vit, i cili do të mbahet në 10 qytete të ndryshme.