Kapiteni dhe një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi, mungoi në ndeshjen e fundit kundër Rijekës për shkak të lëndimit. Por Ademi mund t’i mungoj Dinamos edhe në ndeshjet e mbetura të këtij edicioni pas lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër Goricës më 23 prill.
Mediumet në Kroaci kanë raportuar se 29 minutat kundër Goricës, mund të jenë edhe të fundit me fanellën e Dinamos për Ademin, i cili pas një muaji feston ditëlindjen e tij të 34-t. Ademi me Dinamon ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.
“Kapiteni dhe një nga lojtarët më të mëdhenj në histori të Dinamos, do të takohet së shpejti me Zvonimir Bobanin dhe pas atij takimi gjërat do të jenë shumë më të qarta”, shkruan “tportal.hr” të martën.
Ademi më herët ka treguar se ka ambicie për t’u bërë trajner. Gjasat janë që ai të nisë punën si trajner në shkollën e futbollit të klubit të madh kroat.
Ademi u kthye në vitin 2023 te Dinamo pas përvojës që i zgjati shkurt me Beijing Guoani. Dinamos për herë të parë i ishte bashkuar në vitin 2010. Në Kroaci kishte luajtur edhe për Lokomitivën e Zagrebit.