Xherdan Shaqiri po e udhëheq Baselin drejt titullit të parë të kampionit të Zvicrës që nga viti 2017.
Prej kthimit te Baseli, në verën e vitit të kaluar, Shaqiri ka shkëlqyer si askush tjetër në Superligën e Zvicrës. Falë kontributit të tij me 13 gola e 14 asistime, Baseli është në vendin e parë. Ka mbetur edhe një ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të stinorit të rregullt. Baseli udhëheq me 58 pikë, gjashtë më shumë se Servette e vendit të dytë.
Dhe në Zvicër po pyesin nëse Shaqiri duhet të kthehet në Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Është gazeta e madhe zvicerane, “Blick”, që ka bërë pyetjen. Mediumi zviceran ka pyetur për këto personalitete të ndryshme të futbollit.
Dhe mendimet ndryshojnë.
“Shaqiri vendosi pas Evropianit të tërhiqet. Lojtarët si ai mbajnë peshën e arit, sepse gjithmonë mund të bëjnë diferencën. Ai e dëshmoi këtë në Evropian, përfshirë edhe me golin kundër Skocisë. Nëse ai ka mentalitetin e duhur dhe paraqitjet e tij vlerësohen siç duhet, ai mund të jetë ende i vlefshëm për Zvicrën”, ka thënë trajneri i Young Boysit dhe ish-ndihmësi i Murat Yakinit, Giorgio Contini.
Shaqiri 33-vjeçar i dha fund karrierës te Zvicra në verën e vitit të kaluar, pas Kampionatit Evropian të mbajtur në Gjermani.
Në Evropianin në Gjermani nuk luajti shumë. Por kur ishte në fushë, kryesisht bënte dallimin.
Shaqiri është i vetmi futbollist që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tri kampionate botërore e tri kampionate evropiane.
Me fanellën e Zvicrës ka debutuar në vitin 2010, ndërsa shënoi 32 gola në 125 paraqitje. Vetëm Granit Xhaka ka më shumë paraqitje se Shaqiri për “helvetikët”. Kapiteni Xhaka ka luajtur 135 ndeshje.
Ish-selektori i Zvicrës, Rolf Fringer, thotë se Shaqiri mund të mos paraqitet njëjtë si te Baseli.
“Vetëm për shkak se Shaqiri luan mirë për Baselin, nuk do të thotë se ai do të paraqitet mirë në ekipin përfaqësues. Ai është lojtar që ka nevojë të ketë liri dhe e ka atë liri te Baseli. Megjithatë, ky rol praktikisht në përfaqësuese nuk ekziston më”, ka theksuar Fringer.
Fabienne Humm, ish-lojtari i Zvicrës, thotë se Shaqiri nuk duhet të pranojë kthimin te Zvicra.
“Kthimi i Shaqirit në përfaqësuese? Përkundrazi, jo, sepse Shaqiri nuk ka nevojë për këtë. Fakti që ai nuk është më në përfaqësuese, është ndoshta një nga arsyet pse ai është në formë kaq të mirë për momentin. Sepse tani ai ka kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar dhe mund të fokusohet në gjendjen e tij fizike. Kjo është arsyeja pse ai mungon më pak”, ka thënë Humm, i cili ka luajtur 80 ndeshje për përfaqësuesen helvetike.
Ish-mesfushori shqiptar i Zvicrës, Blerim Xhemaili, thotë se Shaqiri ishte një nga lojtarët më të mirë në përfaqësuese.
“Për shkak se ai mund të përqendrohet vetëm te klubi, është duke treguar paraqitje të mira. Barra e dyfishtë nuk ishte e lehtë për të në një moshë disi të shtyrë. Ai lëndohej shpesh. Por sigurisht, Shaqiri ishte një nga lojtarët më të mirë në ekipin përfaqësues. Cilësia e tij ishte gjithmonë e mirë për ekipin përfaqësues”, ka thënë Xhemaili, që për Zvicrën ka luajtur 69 ndeshje.
“Blick” shkruan se Murat Yakin nuk po mendon ta bindë Shaqirin të kthehet.
Që nga pensionimi i Shaqirit, Zvicra ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet.