Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme të shtunën në Ferizaj. Në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll, Llapi e mposhti Ferizajn me rezultatin 1:0.
Sfida u vendos në minutën e 72-të, kur Valmir Veliu asistoi shumë bukur për Ahmed Januzin. Veliu gjeti Januzin në zonë me një pasim në mesin e pesë lojtarëve vendas. Sulmuesi me përvojë ruajti qetësinë dhe me gjuajtje të bukur shënoi golin e tri pikëve.
Për Llapin është fitorja e dytë rresht. Në xhiron e kaluar fitoi 1:0 ndaj Dritës. Skuadra e Tahir Batatinës tani i ka 10 pikë, sa edhe Prishtina, Ballkani e Malisheva.
Ndërkohë kriza e Ferizajt sa shkon e thellohet. Ferizaj ka pësuar humbjen e katërt rresht dhe të tretën në shtëpi. Mbetet me katër pikët që i fitoi në dy xhirot e para. Renditet i parafundit.