Futboll

Dëshpëron Kosova, mposhtet thellë nga Rumania në “Fadil Vokrri”

Dëshpëron Kosova, mposhtet thellë nga Rumania në “Fadil Vokrri”

Kishte shpresa të mëdha e në fund kishte vetëm dëshpërim të madh. 

Përfaqësuesja e Kosovës ka dështuar plotësisht në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombëve. Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pësoi thellë, 3:0, nga Rumania. 
Ndeshja nisi mirë për “Dardanët” por përfundoi si më keq. Me tre gola të pësuar, një lojtar të përjashtuar dhe me veprime që pritet të dënohen nga UEFA.

Ndonëse stadiumi ishte i mbushur me shikues dhe përkrahja në fillim ishte e madhe, Kosova shfaqi fare pak në “Fadil Vokrri”.

Presionin fillestar, rumunët e “amortizuan” brenda dhjetë minutave. Më pas loja ishte e balancuar, kurse në minutën e 40-të rumunët shënuan për 1:0. Pas një gabimi të Elvis Rexhbeçajt, Dennis Man shënoi për epërsinë e rumunëve në moment shumë të rëndësishëm.

Entuziazmi te tifozët thuajse u zhduk menjëherë, ndërsa pjesa e dytë ishte prej më të dobëtave të Kosovës deri më tani.

Menjëherë në minutën e 51-të, Razvan Marin shënoi nga pika e bardhë për 2:0.

Valon Berisha bëri ndërhyrje të palejuar në Manin, ndërsa penalltia u dha vetëm pas rishikimit të situatës në VAR. Marin gjuajti fuqishëm e saktë për 2:0.

Kjo ishte goditja vendimtare në ndeshjen e Grupit 2 të Ligës C. Kosova më pas ishte thuajse jashtë lojës. Nuk shfaqi asgjë. Nuk kishte aksione e thuajse asnjë rrezik për portën rumune, njëjtë si në pjesën e parë.

Në minutën e 82-të, Denis Dragush shënoi golin e tretë për Rumaninë. Këtë herë gaboi Fidan Aliti. Aro Muriq priti gjuajtjen e parë, por pas topit të kthyer Dragush realizoi nga afërsia. 

Menjëherë në minutën e 85-të, Mërgim Vojvoda mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua. Më pas nisi hyrja e tifozëve në fushë dhe loja u ndërpre disa herë. Për këtë pritet të dënohet FFK-ja nga UEFA, njëjtë si për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Rumanisë pa nisur ndeshja. Ka pasur edhe hedhje të mjeteve tymosëse në fushën e lojës e plot lëshime tjera.

Ka munguar ajo që pritej – loja e mirë e Kosovës, golat e fitorja. 

Kosova ka pasur vetëm disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht. Gjuajtjet kryesisht ishin të pasakta. 

Ndërkohë rumunët kanë goditur dy herë shtyllën e portës së Aro Muriqit. Rumania i kishte 16 raste e Kosova 12. 

Te Kosova debutuan Elvis Rrexhbeçaj e Fisnik Asllani, por përfaqësuesja ka vazhduar të dëshpërojë në ndeshje garuese.

Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha mes fishkëllimave dhe thirrjeve “marre, marre” e “jashtë, jashtë”.

Lexo përditësimet tjera
Kosova-Rumania

Dëshpëron Kosova, mposhtet thellë nga Rumania në “Fadil Vokrri”