Ndeshja e 12 shtatorit të vitit të kaluar në Bukuresht la shije të hidhur te lojtarët e Kosovës. Humbja nga Rumania ua shoi lojtarëve të Kosovës ëndrrën për t’u kualifikuar në Evropianin që u zhvillua muaj më parë në Gjermani.
Humbja nga Rumania nuk ishte goditja e vetme që lojtarët e Kosovës morën në Bukuresht. U goditën rëndë edhe në tribuna nga tifozët rumunë.
Muriqi dhe të tjerët u ballafaquan edhe me pankarta anti-Kosovë dhe thirrje “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit “Uniti sub tricolor”. Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja e luajtur vitin e kaluar në Bukuresht të ndërpritej për 50 minuta. Kosova e humbi ndeshjen 2:0.
Por, për Muriqin, nuk është koha për t’i revanshuar rumunët në tribuna. Ai thotë se “hakmarrja” duhet të merret në fushë.
Të premten, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova e Rumania e zhvillojnë ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Ndeshja e cila nis nga ora 20:45 i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.
“Ne kemi biseduar ‘besojmë në hakmarrje’ por brenda në fushë. Nuk duhet të kthehemi njëjtë siç na bënë ata në Rumani. Ne lojtarët duam të jemi brenda fushës, dhe duhet të fitojmë për të qenë goditje e madhe për ta”.
Ai thotë se ankesa e FFK-së drejtuar UEFA-s ishte me vend. Muriqi shton se politika nuk ka vend në sport.
Ai i ka vlerësuar rumunët, por thotë se synojnë fitore.
“Besoj se ndeshja do të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet. Rumania dhe Kosova janë favorite për ta zënë vendin e parë. Nëse e nisim mbarë me fitore, do të bëjmë hap të madh dhe të rëndësishëm për të përfunduar si lider”.
Sulmuesi i Mallorcas beson se Kosova ka forcë dhe skuadër për ta mposhtur Rumaninë.
“E vlerësojmë shumë si kundërshtare, sepse herën e kaluar të them të vërtetën unë personalisht nuk e kam parë Rumaninë që janë shumë para nesh. Brenda fushës në lojë e kanë merituar të kualifikohen në Evropian. Kualifikimi në Evropian është shumë i rëndësishëm. Kanë lojtarë të rëndësishëm. Do të mundohen të na nxjerrin probleme. E dimë kundërshtarin, me gjithë kundërshtarin nesër do ta japim maksimumin për t’i lënë ata pa pikë”.
Muriqi ka thënë se Kosova është rritur si përfaqësuese. Ai i gëzohet konkurrencës së madhe, sidomos në fazën e sulmit. Muriqi nuk e ka telash ta ketë Albion Rrahmanin apo ndonjë lojtar tjetër përkrah në sulm.
“Kemi shumë vjet që po luajmë me Edonin e Milotin. Jemi në top-formë, siç kemi qenë para dy-tre vjetësh. Kemi potencial të mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht. Nesër shpresoj në fitore, sepse është futboll, nuk i dihet. Një gjë e kemi të sigurt. Ne do të japim maksimumin, Edoni apo Vedati, pavarësisht emrave. Nesër do të shohin të gjithë lojë kolektive. Me trajnerin jemi në kontakt. E ka kaluar atë fazën e njoftimit me lojtarët. Tashmë jemi në një fazë që dështimet ka mundësi që na dëmtojnë më tepër, por do të mundohemi të mos kemi dështime. Duam të marrim fitoren e parë, sepse është shumë e rëndësishme”, u shpreh Muriqi.
Fitorja është e rëndësishme edhe për teknikun gjerman, Foda. Ai thotë se janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër rumunëve.

“Siç kam potencuar edhe më herët. Miqësoret kanë përfunduar dhe nuk kemi kohë për të provuar. Kemi shumë alternativa, më shumë se në lojërat e kaluara. Kemi Fisnik Asllanin e Elvis Rexhbecajn. Po punojmë intensivisht për t’i fituar ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka deklaruar Foda.
Gjermani Foda ka thënë se Elvis Rexhbeçaj është vlerë e shtuar për Kosovën.
“Elvisi është mesfushor i disa pozitave. Atë mund ta përdorim në pozita të ndryshme, është lider, agresiv. Me përvojën tek Augsburgu do t’i sjellë skuadrës shumë të mira”, ka shtuar Foda.
Foda ka qenë kritik për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Sikur për ekipin ashtu edhe për mua si trajner është hera e parë që po luajmë në këtë fushë të re. Deri tani nuk kishim lojë në shtëpi. Tani do ta kemi të parën. Hapësira nuk është në mënyrën perfekte. Nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Por jemi në shtëpi, kemi tifozët dhe dëshirojmë të japim në këtë lojë energji të re”, ka thënë ai.
Foda ka theksuar se njeh mirë potencialin e Rumanisë. Por insiston se kanë përgatitur mirë ndeshjen.
Foda ka vlerësuar edhe formën e Ermal Krasniqit dhe Albion Rrahmanit. Dy lojtarët në të kaluarën kanë qenë prej më të mirëve në kampionatin rumun.
“Krasniqi dhe Rrahmani kanë luajtur në Rumani. Ata kanë luajtur në ekipet e tyre. Kanë kaluar në Sparta Pragë. Kanë bërë hapin e radhës. Astrit Selmani ende është në Rumani. Ne në ekip i kemi diskutuar të gjitha detajet për lojën e rumunëve. I dimë thuajse të gjitha detajet se si luan Rumania në sulm e në mbrojtje", ka thënë Foda.
Të hënën Kosova në Larnaca e luan ndeshjen kundër Qipros.