Portieri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Arijanet Muriq dhe sulmuesi, Emir Sahiti, kanë thënë se janë të motivuar për fitore ndaj Rumanisë. Muriq dhe Sahiti ishin dy prej 15 futbollistëve të pranishëm në stërvitjen e parë të “Dardanëve” për ndeshjen kundër Rumanisë. Ndaj rumunëve, Kosova luan të premten në Prishtinë, kurse më 9 shtator ndaj Qipros në udhëtim. Të dyja ndeshjet i takojnë Ligës së Kombeve të UEFA-s. “Të gjithë jemi këtu që në mëngjes. Pra, përgatitje e mirë. Të gjithë jemi në kohë. Kështu që duket se të gjithë janë gati për ndeshjet. Ne mezi presim t’i fitojmë ndeshjet. Sigurisht që do të jemi të emocionuar të luajmë ndeshjen kundër Rumanisë, dhe mendoj se duhet të marrim revansh tri herë ndaj tyre, kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mundur dhe për t’i bërë ata të ndihen se do të kenë një ditë të vështirë në Kosovë. Mezi presim t’i mundim, të stërvitemi mirë dhe gjithçka tjetër. Ndjehemi shumë të sigurt”, ka thënë portieri i Ipswich Toënit anglez, Arijanet Muriq.
Muriq do të paraqitet nga minuta e parë ndaj rumunëve. 25-vjeçari për Kosovën ka luajtur 38 ndeshje.
I gatshëm ta jap kontributin e tij për Kosovën është shprehur edhe Sahiti. Sulmuesi Sahiti iu bashkua Hamburgut nga Shibeniku kroat.
“Mezi po pres që nëse trajneri ma jep mundësinë të jap më të mirën. Edhe nëse nuk luaj këtu jam për ta ndihmuar Kombëtaren. Rumania ka një ekip të mirë, por ne duhet të fokusohemi te ekipi ynë dhe besoj se do ta fitojmë ndeshjen kundër Rumanisë. Dardanët janë lojtari ynë i 12-të dhe shpresoj të vijnë në numër sa më të madh, sepse kur i kemi ata prapa ndihemi më të fuqishëm”, ka thënë Sahiti.
25-vjeçari për Kosovën ka luajtur dy ndeshje.