Futboll

Forma e sulmuesve jep shpresë për rezultate pozitive te Kosova

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi shënoi gol ndaj kampionit në fuqi të La Ligas dhe fituesit të Ligës së Kampionëve, Real Madridit, në nisje të sezonit të ri. Edon Zhegrova shkëlqeu me Lillen në skenën ndërkombëtare me supergol ndaj Slavias së Pragës në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Kampionëve. Milot Rashica pati dy asistime në fundjavë për Beshiktashin ndaj Antalyasporit, ndërsa luajti edhe në barazimin 3:3 në mesjavë në udhëtim te Lugano në plejofin e Ligës së Evropës. Bersant Celina shënoi supergol për AIK-un suedez në derbin e zjarrtë të Stokholmit ndaj Djurgardenit, kurse Meriton Korenica me gol po ashtu të bukur, e vendosi sfidën që Cluji rumun e fitoi 1:0 ndaj Paphosit qipriot. Pesë futbollistët e përmendur ishin vetëm disa prej të shumtëve që shënuan e asistuan në këtë javë, e që jep sinjale pozitive për nisje të mbarë të Kosovës në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. 

Sulmuesi i parë i Kosovës, Vedat Muriqi, ditë më parë për KOHËN ka thënë se fitorja ndaj Rumanisë do të rriste motivin për fitore ndaj Qipros. 

“Do të fillojmë një cikël të ri, është i rëndësishëm. Kundërshtarja e parë është në Prishtinë kundër Rumanisë, të cilën e njohim mjaftë mirë sepse kemi luajtur edhe me ata dy ndeshje në kualifikimet e kaluara. Shpresojmë që me tifozët tanë ‘Dardanët’, të arrijmë tre pikët e para. Nëse e arrijmë fitoren kundër Rumanisë, nuk po them që do ta kemi lehtë, por me euforinë dhe me vetëbesimin që do ta kishim, do ta kishim pak më lehtë edhe ndaj Qipros, me të cilën janë dy ndeshje dhe gjashtë pikë. Mund të ishte një përparësi goxha e madhe për ne për ta kaluar grupin”, kishte deklaruar Muriqi shtatlartë. 

Kosova me Rumaninë luan më 6 shtator në orën 20:45 në Prishtinë, ndërsa tri ditë më pas udhëton te Qiproja. 

Para ndeshjeve të shtatorit, i lumtur për formën e mirë që po e kalon faza e sulmit të Kosovës është edhe drejtori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti. Ai për KOHËN të premten shtoi se edhe pjesa tjetër e ekipit po gëzon formë të mirë. 

“Ne i përcjellim futbollistët nëpër klubet ku ata luajnë, dhe na gëzon forma e mirë nëpër të cilën ata po kalojnë. E rëndësishme është që lëndime apo suspendime nuk ka. Po synojmë që ta nisim me rezultat pozitiv një cikël të ri, dhe urojmë që kjo të ndodh”, është shprehur Sahiti. 

Drejtori Sahiti theksoi se ndeshja ndaj Rumanisë, mund të jetë edhe ndeshja e vitit. 

“E nisim kampanjën e re të Ligës së Kombeve ndaj një kundërshtareje të vështirë siç është Rumania, e të cilën ne e njohim mirë. Rumaninë nga afër e ka përcjellë edhe stafi i selektorit, në ndeshjet të cilat i luajti në ‘Euro 2024’. Ne synojmë që të arrijmë sukses të madh, me përkrahjen e të gjithëve, sepse Kombëtarja është e të gjithëve. Ndaj Rumanisë e vlerësojmë si ndeshje të vitit dhe urojmë ta marrim rezultatin e dëshiruar”, ka thënë ai. 

Ai refuzoi të flasë për emra se kush është i ftuar për ndeshjet e shtatorit, duke thënë se ftesat i bën përzgjedhësi Franco Foda, i cili po e përcjell formën e të gjithëve. Por ka shtuar se me fazën e sulmit, mund t’i shkaktojnë probleme kundërshtarëve. 

“Faza e sulmit aktualisht po kalon formë të mirë. Kemi parë që futbollistë tanë janë të rëndësishëm nëpër klubet ku ata bëjnë karrierë. Përzgjedhësi po i përcjellë po ashtu, por për listë nuk mund të flas, pasi për të ekskluzivisht do të flasë ai. Ata të cilët po paraqiten mirë do ta kenë rastin. Në aspektin organizativ, ne jemi gati, të gjitha përgatitjet po bëhen për grumbullimin e parë para ndeshjeve të shtatorit”, deklaroi Sahiti. 

Mesfusha e Kosovës, që ka çaluar për kohë të gjatë në mungesë të futbollistëve të denjë, është plotësuar me futbollistin cilësor të Augsburgut të Bundesligës gjermane. 

Rexhbeçaj më 13 korrik është prezantuar si futbollist i ri i Kosovës dhe vlerësohet lartë për cilësitë që ai i ka. Ai kishte thënë se ka vendosur me zemër t’i bashkohet Kosovës, ndërsa synon suksese me “Dardanët”. Me ardhjen e Rexhbeçajt, Kosova pritet të ketë stabilitet në mesfushë.  

Përzgjedhësi Franco Foda në tri ndeshje në krye të Kosovës ka një fitore ndaj Armenisë 1:0, dhe dy disfata, nga Hungaria 2:0 dhe nga Norvegjia, 3:0. Të gjitha ishin miqësore. 

Ndeshja ndaj norvegjezëve që u zhvillua në Oslo, ishte testi i fundit para nisjes së garave zyrtare. 
Për duelin ndaj Norvegjisë kishte emra të rinj në skuadër. Mesfushori Art Smakaj i Lokomotivës së Zagrebit dhe portieri Mustafë Abdullahu, portieri i Tiranës. 

Nga Superliga ishin ftuar Lumbardh Dellova dhe Lindon Emërllahu, Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni, si dhe talenti i Malishevës, Drilon Hazrollaj. 

Dellova bëri lëvizje në verë, nga Ballkani te CSKA Sofia në Bullgari, kurse Hyseni u transferua te Horsensi i kategorisë së dytë të futbollit danez. 

Donis Avdijaj nuk ishte ftuar për shkak të “disa mosmarrëveshjeve mes tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, kurse Emir Sahiti ishte në listën e zgjeruar. 

Në portë sërish pritet të jetë titullar Muriq, që në verë u transferua tek Ipswichi në Premier League, ndërsa lider i mbrojtjes do të jetë kapiteni Amir Rrahmani. 

Fazës së sulmit mund t’i ndihmojë edhe Albion Rrahmani, që po ashtu siguroi transferimin prej 5 milionë eurove te skuadra çeke, Sparta e Pragës. 

Përveç Rumanisë e Qipros, Kosova në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve për kundërshtare do ta ketë edhe Lituaninë. 

Në tetor përballet me Lituaninë e Qipron, ndërsa në nëntor me Rumaninë dhe e mbyll kampanjën në “Fadil Vokrri” ndaj Lituanisë. 

Për Kosovën kundërshtarët nuk janë të panjohur. Ndaj Rumanisë luajti së fundmi në “Euro 2024”, kurse Qipron e kishte përballë në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. 

Në miqësore, Kosova ishte përballur edhe me Lituaninë në vitin 2021, dhe kishte fituar 4:0.