Ishte 29 marsi i vitit 2022 kur Zvicra dhe Kosova zhvilluan ndeshjen e parë në futboll kundër njëra-tjetrës. Ndeshja u luajt në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich. Shumica prej 20 mijë e 800 shikuesve ishin shqiptarë. Përkrahja e shqiptarëve ishte për lojtarët e Kosovës.
Në stadiumin ku para dy vjetësh luajti kundër Kosovës, Zvicra më 15 nëntor e pret Serbinë. I takon Ligës së Kombeve.
Për ndeshjen kundër serbëve, te Zvicra presin përkrahje të madhe edhe nga shqiptarët.
“Ne kemi tifozë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Zvicër dhe jemi të lumtur për secilin tifoz, pavarësisht origjinës së tyre”, ka thënë Adrian Arnold, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Zvicrës, të enjten, për KOHËN.
Ai nuk ka zbuluar nëse caktimi i ndeshjes në Zuerich ka të bëjë me numrin e madh të shqiptarëve.
“Ne jemi prezentë në gjithë Zvicrën. Pasi luajtëm në Gjenevë, në Zvicrën perëndimore në shtator, dhe në St. Gallen, në lindje të Zvicrës, tani është koha të luajmë në Zuerich, në nëntor”, është shprehur Arnold.
Në fakt, kur Zvicra ka luajtur në të kaluarën kundër shteteve të tjera, përkrahja ka qenë masive nga shqiptarët. Kjo për faktin se te Zvicra kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarët lojtarë kyç.
Dashuria ndaj lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën u rrit edhe më shumë pas ndeshjes që Zvicra e pati fituar kundër Serbisë në Botërorin “Rusia 2018”.
Pesë vjet më parë në Rusi, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin vendimtarë për fitoren 2:1 ndaj Serbisë. Të dy shënuan gola dhe festuan me shqiponjë.
Shaqiri pas Kampionatit Evropian që u zhvillua në Gjermani u tërhoq nga Përfaqësuesja e Zvicrës.
Xhaka bashkë me Xherdan Shaqirin ishin protagonistët kryesorë edhe në përballjen në Botërorin “Katari 2022”.
Në Katar, Shaqiri bëri ndeshje të shkëlqyer, duke shënuar një gol dhe duke filluar aksionet për dy të tjerët, ndërsa Xhaka ishte i qëndrueshëm në mesfushë. Xhaka pati pasur dy momente tensioni me lojtarët serbë në Katar. Pasi ishte provokuar nga rezervat serbe, Xhaka ishte kundërpërgjigjur duke i sharë. Në mesin e pjesës së dytë ishte krijuar një rrëmujë, por qetësia ishte kthyer shpejt. Në fund pati edhe një rast tjetër tensioni. Xhaka ishte i rrethuar nga lojtarët serbë, por fillimisht u përball i vetëm me ta. Më pas ai u ndihmua nga lojtarë të tjerë zviceranë. Në fund të ndeshjes, Xhaka festoi me fanellën me mbiemrin “Jashari” të vendosur në gjoks.
Para ndeshjes Zvicër – Serbi, që do të zhvillohet më 15 nëntor nga ora 20:45, helvetikët ndeshjen e parë kundër serbëve e zhvillojnë më 12 tetor në Beograd.
Zvicra dhe Serbia janë së bashku në Grupin 4 të Ligës A, të Ligës së Kombeve. Përveç Zvicrës e Serbisë do të jenë edhe Spanja dhe Danimarka.
Por vëmendjen më të madhe në grup do ta marrë përballja e Zvicrës me Serbinë. Dhe në fokus do të jetë sërish kapiteni Granit Xhaka.
Është e qartë se prania e Xhakës në fushë do të përcillet me vërshëllima. Por Arnold beson se ndeshja në Beograd të mbyllet pa ndonjë incident.
Ndeshjet në mes të Zvicrës dhe Serbisë do të zhvillohen në tetor dhe nëntor. Por para se Zvicra t’i luajë ndeshjet kundër Serbisë, edicionin e katërt të Ligës së Kombeve e nis më 5 shtator në udhëtim te Danimarka, ndërsa më 8 shtator e pret Spanjën. Më 12 tetor luan kundër Serbisë, më 15 tetor luan në Zvicër ndaj Danimarkës. Më 15 nëntor ndaj Serbisë në Zuerich, ndërsa Ligën e Kombeve e mbyll në udhëtim te Spanja më 18 nëntor.