Sulmuesi portugez Joao Felix po kërkon kthimin te skuadra e Chelsaet, ka raportuar të hënën eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano. Ai ka shkruar se Chelsea është duke punuar ta përfundojë marrëveshjen me Atletico Madridin për Felixin.
Felix në edicionin 2023/2024 ishte i huazuar për një vit te Barcelona. Ai është kthyer në stërvitje tek Atletico Madridi. Felix më herët ka shprehur dëshirën që të transferohet te gjiganti katalonjas, por drejtuesit e Barcelonës nuk janë bindur me paraqitjen e tij në sezonin e kaluar. Me Atletico Madridin, portugezi ka kontratë deri në vitin 2029.
Wan-Bissaka pritet t’i bashkohet West Hamit
Mbrojtësi i krahut Aaron Wan-Bissaka pritet të largohet nga skuadra e Manchetser Unitedit.
Të hënën eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano ka njoftuar se Wan-Bissaka do të nënshkruaj me West Ham Unitedin. Raportohet se ai tashmë i ka kryer edhe testet mjekësore.
Skuadrës angleze do t’i kushtojë 15 milionë euro transferimi i anglezit. Me Unitedin. Wan-Bissaka ka kontratë edhe një vit. Pjesë e Unitedit është prej vitit 2019.
Në edicionin 2023/2024, 26-vjeçari ka zhvilluar 30 paraqitje dhe ka kontribuar me tri asistime.
Brentford e transferon të riun e Liverpoolit
Brentfordi e ka transferuar mesfushorin 21-vjeçar, Fabio Carvalho nga skuadra e Liverpoolit. Portugezi ishte pjesë e Liverpoolit për dy vjet. Në edicionin 2023/2024, ai ishte huazuar te Hull City. Carvalho do të jetë pjesë e Brentfordit deri në vitin 2029. Për transferimin e Carvahalos foli edhe trajneri i Brentfordit, Thomas Frank.
“Fabio është një lojtar me shumë cilësi. Ai mund të luajë në të gjitha tre ose katër pozicione. Në sulm, ai ka aftësi të mëdha me topin. Ai është një lloj lojtari që ne nuk e kemi shumë në skuadër. Aftësia dhe mentaliteti i tij për të punuar shumë në presion është gjithashtu shumë i mirë. Ne jemi shumë të kënaqur me nënshkrimin e tij”, u shpreh Frank.
De Gea: Unitedi është klubi i zemrës sime
Portieri spanjoll David de Gea të hënën ka folur për aventurën e kaluar te Manchester Unitedin dhe kalimin e tij te Fiorentina. Ai ka theksuar se Unitedi do të jetë gjithmonë në zemrën e tij.
“Manchester Unitedi është një klub i madh dhe zemra ime do të jetë gjithmonë aty. Nuk kam menduar kurrë të tërhiqem nga futbolli aktiv, ishte thjesht e vështirë të gjeja motive për kapitullin e ri pas 12 vitesh në një klub të lartë si Unitedi, dhe më në fund e ndjeva këtë te Fiorentina”, u shpreh De Gegea.
Spanjolli ditë më parë iu bashkua si lojtar i lirë ekipit italian. Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër me Fiorentinan.
Coman në radarin e Barcelonës
Sulmuesi i Bayern Muenchenit, Kingsley Coman është në listën e lojtarëve që mund t’i bashkohet Barcelonës. Bayerni po dëshiron ta huazojë Comanin për një vit, pasi francezi është njëri ndër futbollistët më të paguar te gjiganti gjerman. Raportohet se Coman është kërkesë e trajneri Hansi Flick. Flick dhe Coman kanë punuar së bashku te Bayerni për dy vjet. Francezi me Bayernin ka kontratë deri në vitin 2027. Për 28-vjeçarin kanë shprehur interesim edhe Paris Saint-Germaini dhe Arsenali.
Van Dijk pret prurje të reja te Liveprooli
Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk pret prurje të reja te Liverpooli. Van Dijk të hënën është shprehur se drejtuesit e skuadrës angleze duhet t’i krijojnë skuadër me lojtar të rinj trajnerit, Arne Slot.
“Mendoj se duhet të bëjmë disa transferime bazuar në shumë ndeshje që do t’i kemi gjatë sezonit. Mendoj se ata po punojnë në këtë drejtim. Jam plotësisht i bindur dhe i besoj klubit se ata do të bëjnë gjënë e duhur për ne dhe do të krijojnë një skuadër konkurrente për trofe. Kjo është gjëja kryesore në të cilën po fokusohem, të kem besimin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se ata po punojnë shumë dhe do të shohim se si do të shkojë e gjithë kjo verë”, u shpreh Van Dijk.