Futboll

Ballkani me dy ndryshime përballë Hamrunit

FC Ballkani

Queven Inacio dhe Walid Hamidi janë dy ndryshimet e vetme të trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja për ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Hamrunit.  

Ndeshja në mes të kampionit të Kosovës dhe atij të Maltës zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ky takim luhet sot dhe nis në orën 18:00.

Inacio paraqitet në vend të Bleart Tolajt, kurse Hamidi starton në vend të Sunday Adetunji. Ky i fundit dhe Tolaj ishin startues në ndeshjen e dytë që Ballkani e zhvilloi ndaj UA Santa Colomas në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ballkani pas dy ndeshjeve u eliminua nga Championsi, ndërsa rrugëtimin në kupat evropiane e vazhdon në Ligën e Konferencës, përkatësisht nga raundi i dytë kualifikues.

Në portë te Ballkani do të jetë Enea Koliçi, ndërsa reparti i mbrojtjes do të përbëhet nga Arbër Potoku, Astrit Thaqi, Gentrit Halili dhe Bajram Jashanica. Lindon Emërllahu, Queven Inacio dhe Marsel Ismajlgeci do të paraqiten në mesfushë, kurse në sulm Almir Kryeziu, Bernard Karrica dhe Walid Hamidi.