Futboll

Ballkani synon suksesin e parë në Champions

KF Ballkani

Për herë të tretë rresht, Ballkani i Suharekës paraqitet në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Në edicionin 2022/2023 luajti 1:1 me Zhalgirisin në Prishtinë, por humbi 1:0 në Vilnius  për t’u eliminuar, përkatësisht për t’u zhvendosur në Ligën e Konferencës ku arriti deri në fazën e grupeve. Në edicionin 2023/2024 fitoi 2:0 ndaj Ludogoretsit në Prishtinë, por më pas humbi 4:0 në Razgrad të Bullgarisë. U eliminua, u zhvendos në Ligën e Konferencës dhe sërish arriti deri në fazën grupore.

Kampioni i Kosovës në futboll tani përballë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve e ka Santa Coloman e Andorrës. Dhe synon që për herë të parë ta kalojë me sukses këtë raund garash. Santa Coloma nuk e ka nivelin e Zhalgirisit dhe Ludogoretsit. Dhe kjo jep më shumë shpresa për ekipin suharekas.

Ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Championsit zhvillohet të martën prej orës 20:00. Ndeshja luhet në Andorra la Vella.

Ndeshja e kthimit është më 16 korrik në Podujevë, nga ora 16:30.

“Të motivuar si gjithmonë, shkojmë për ta filluar kampanjën në Ligën e Kampionëve dhe për të kërkuar sukseset e radhës”, ka shkruar Ballkani.

Raundi i parë kualifikues i kupave evropiane zhvillohet në hije të plotë të Evropianit që po mbahet në Gjermani. Por për Ballkanin ndeshja në Andorrë është me shumë rëndësi.

Kualifikimi i Ballkanit në fakt edhe pritet. Santa Coloma i ka humbur të gjitha 16 ndeshjet e zhvilluara në Kupat Evropiane. Pra nuk e ka asnjë sukses. Në shtatë raste është ndalur në rundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Në edicionin 2022/2023 u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dhe tani debuton në Champions.

Ballkani ka pësuar ndryshime të shumta prej se e fitoi titullin e tretë rresht të kampionit të Kosovës. Lojtarë të rëndësishëm si Edvin Kuç, Armend Thaqi, Nazmi Gripshi, Lumbardh Dellova, Lorenc Trashi e plot të tjerë janë larguar nga Ballkani. Ndërkohë kanë ardhur shumë lojtarë të tjerë.

Në raundin e parë kualifikues të Championsit paraqiten edhe tre kampionë të tjerë shqiptarë.

Të martën prej orës 20:00, mysafir luan edhe Deçiqi i Tuzit, kampioni i Malit të Zi. Takohet me skuadrën nga Uellsi, TNS.

Të mërkurën luajnë edhe Struga dhe Egnatia e Rrogozhinës. Egnatia përballë e ka Borcin e njohur të Banjallukës, që prezanton Bosnjë-Hercegovinën.