Futboll

Thellohet kriza në mbrojtjen e Italisë

Italia

Kriza e Përfaqësueses së Italisë në mbrojtje sa shkon e thellohet. Të hënën u konfirmua që Giorgio Scalvini do të mbetet jashtë Kampionatit Evropian të futbollit për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen e fundit të edicionit. 

Mbrojtësi 20-vjeçar është zëvendësuar në ekipin e zgjeruar të Italisë nga Federico Gatti i Juventusit. Kjo u konfirmua nga Federata e Futbollit e Italisë. Kanë mbetur më pak se dy javë para se “Azzurët” të nisin mbrojtjen e titullit të kampionit të Evropës.

Gatti ishte në gjendje gatishmërie pasi mbrojtësi i Interit dhe kampioni nga “Euro 2020”, Francesco Acerbi mbeti jashtë javën e kaluar për shkak të një lëndimi.

25-vjeçari Gatti, që debutoi në vitin 2022, ka luajtur tri ndeshje për Italinë.

Scalvini u largua me lot në sy  nga fusha, pesë minuta pa përfunduar ndeshja e Atalantas ndaj Fiorentinas. Testet e mëvonshme kanë konfirmuar që mbrojtësi i qendrës ka këputur ligamentin në gjurin e majtë. Ai kishte shënuar në pjesën e parë.

Ndeshja e fundit e edicionit në Serie A ishte shtyrë nga marsi për shkak të sëmurjes së ish-menaxherit gjeneral të Fiorentinas, Joe Barone. Barone kishte vdekur dy ditë më pas.

Ishte planifikuar që Scalvini të bashkohej me Përfaqësuesen italiane të hënën, së bashku me Gianluca Scamaccan. 

Por është Gatti që paraqitet në qendrën stërvitore në Coverciano. Ai ishte paralajmëruar nga selektori Luciano Spalleti se mund të jetë i nevojshëm për ekipin. Ka punuar individualisht nga e enjtja e kaluar.
Scalvini  ka luajtur tetë ndeshje për Italinë dhe vlerësohet lartë për talentin që ka. Ndërkohë Acerbi, 36-vjeçar, ka bërë 34 paraqitje.

Spalletti duhet të largojë tre lojtarë para të enjtes. Italia e nis kampanjën në “Euro 2024” me ndeshjen ndaj Shqipërisë në Dortmund, më 15 qershor. Në grup janë edhe Spanja e Kroacia.