Futboll

Phoenixi megjithatë i shpëton rënies, ky është arsyetimi i FFK-së

Phoenix

“Pas humbjes në Gjakovë, Phoenix bie në Ligën e Dytë”.

Kështu shkruante në njoftimin e parë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të dielën.

Por njoftimi i FFK-së u ndryshua më vonë. U publikua informata shtesë që lë të kuptohet se për atë nëse skuadra nga Banja e Pejës do të mbetet pjesë e Ligës së Parë, do të vendoset “me vendim të posaçëm”.

KOHA mëson se është vendosur që Phoenixi do të mbetet pjesë e Ligës së parë të paktën edhe në edicionin e ardhshëm.

“Nëse do të ishte situatë normale, në fund të kampionatit do të duhej të largoheshin nga liga dy skuadrat e fundit në grupet respektive, por pas përjashtimit nga garat të Vllaznisë dhe Ulpianës, tani do të vendoset me vendim të posaçëm dhe gjithçka do të dihet gjatë javës së ardhshme. Të rikujtojmë që Liga e Parë, e cila është e ndarë në dy grupe, që nga viti 2025 do të jetë ligë unike, për çka është marrë vendimi dhe me kohë janë njoftuar edhe klubet”, shkruan në njoftimin e përmirësuar të FFK-së.

Ulpiana dhe Vllaznia u përjashtuan për shkak të kurdisjes së ndeshjes. FFK-ja mori edhe disa vendime për të përfshirët në kurdisje të ndeshjes.

Te Phoenixi planifikojnë të mobilizohen për edicionin e ardhshëm, pasi shmangën rënien në mënyrë të “befasishme”.

“Sezonin tjetër nëse mbesim në Ligën e Parë, opsion i vetëm do të jetë lufta për Superligë”, ka thënë kryetari i Phoenixit, Muhedin Ferati, të dielën për KOHËN.

Liga e Parë e Kosovës funksionin e ndarë në dy Grupe. Janë Grupi A dhe Grupi B. Phoenixi garoi në Grupin A. Përfundoi në vendin e fundit me 23 pikë. Rënien e vetëm dy skuadrave nga Liga e Parë e parashohin edhe Propozicionet e Garave të FFK-së. Por nga një prej secilit grup.

Liga e Parë nga edicioni 2025/2026 do të bashkohet, dhe në garë do të jenë 18 skuadra.

Dinamo e Ferizajt dhe Prishtina e Re do të përballen në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë. Ndeshja e barazhit në mes të Dinamos dhe Prishtinës së Re luhet më 26 maj në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Fituesi i kësaj ndeshje, më 1 qershor luan ndeshje ne barazhit me skuadrën e vendit të tetë të Superligës.

Aktualisht në pozitë ne tetë është Feronikeli 74.

Dinamo përfundoi në vendin e dytë me 52 pikë në Grupin A të Ligës së Parë, kurse, Prishtina e Re e dyta në Grupin B.

Direkt në Superligë janë inkuadruar Suhareka dhe Ferizaj.