Futboll

Tifozat Kuq e Zi me reagim të zbehtë për Evropianin e përbashkët të Shqipërisë e Serbisë

Tifozat Kuq e Zi

Tifozat Kuq e Zi

Tifozat Kuq e Zi kanë bërë reagim të zbehtë pas kandidaturës së përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë për ta organizuar Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027. Ata i kanë kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit të tregojë nëse paraprakisht kanë kontaktuar shtetet e tjera fqinje si Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Në fakt, pritej një reagim më i ashpër nga TKZ-ja. 

Shqipëria dhe Serbia të mërkurën kanë dorëzuar ofertë të përbashkët për ta organizuar Evropianin e të rinjve. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Shqipëria e vetme nuk i ka plotësuar kushtet. Për KOHËN, Duka ka theksuar se Kosova ishte opsioni i parë, por nuk i plotësonte kriteret.

Tifozat Kuq e Zi kanë kujtuar parullat nacionaliste të tifozëve serbë për shqiptarët që vazhdojnë të shfaqen në sporte të ndryshme. Kanë përmendur edhe ndeshjen e vitit 2014 në Beograd.

“Lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të Shpresave (U21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njejtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”.  Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të perfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kane luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqesore sportive”, thuhet në reagimin e TKZ-së në Facebook.

TKZ-ja në fund përmend edhe Kosovën. Por nuk kanë ndonjë thirrje konkrete për FSHF-në.  

“Duke qenë se shpesh dhe me të drejtë sporti përdoret për të promovuar paqe, bashkëpunimin, mirëkuptim dhe shpresë do të duhej fallciteti, fasada, propaganda dhe në rastin më të mirë PR-i të organizohej dhe t’i “shiteshin” publikut pak më profesionalisht. Kështu që mirë do të ishte FSHF të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, s’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë”, thuhet tutje në reagim.

LEXO EDHE: