Trajneri i Bayern Muenchenit, Thomas Tuchel, është shprehur shumë i nervozuar pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Bayerni u mposht 2:1 nga Reali në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, por një rast i minutës së fundit e bëri ndeshjen mjaft të diskutueshme.
Në minutat e fundit, De Ligt i Bayernit barazoi rezultatin, që do ta dërgonte ndeshjen në shtesë, por më herët anësori e kishte ngritur flamurin për pozitë jashtë loje dhe goli nuk u llogarit. VAR-i nuk mund të intervenonte pasi aksioni ishte ndalur pa përfunduar.
Tucheli ka thënë se ajo çfarë ndodhi në fund ishte “si një tradhti”.
“Fatkeqësi. Fatkeqësi absolute. Në golin e dytë të Realit, ata [gjyqtarët] lanë lojën të vazhdojë. Rregulli i qartë është që loja duhet të vazhdojë. Gabimi i parë u bë nga gjyqtari anësor, i dyti nga kryesori. Ishte shkelje e qartë e rregullave”, ka thënë Tuchel pas ndeshjes.
“Anësori kërkoi falje, por kjo nuk ndihmon. Të ngrejë flamurin në një moment si ky... Është e vështirë, por s’ke ç’ti bësh”, ka shtuar.
Tuchel më vonë konfirmoi se edhe gjyqtari Szymon Marciniak kërkoi falje, por se kjo “nuk ndihmon” pasi Reali u kualifikua në finale.
“Të gjithë duhet të shkojnë në kufirin e tyre, të gjithë duhet të vuajnë, të gjithë duhet të luajnë pa gabime. Kështu që edhe gjyqtari duhet të jetë në atë nivel. Thjesht nuk ndihmon të justifikosh pas faktit. Ju jeni në fushë për këtë arsye, sepse jeni më i miri që ekziston”, ka thënë Tuchel, i cili do të largohet nga Bavarezët në fund të sezonit.